Dështon zgjedhja e kryeparlamentarit

18/09/2014 00:00

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur sërish të zgjedhë kryetarin dhe
nënkryetarët, në vazhdimin e seancës konstituive, e cila ka zgjatur
vetëm 7 minuta.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Arsim Bajrami ka arritur t’i marr vetëm 44 vota nga 116 sa ishin të pranishëm në seancë. Pro kandidaturës së Bajramit votuan 37 deputetët e PDK-së si dhe 7 deputetë të minoriteteve jo serbe.
 
Ndërsa 61 deputetë të koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje votuan kundër kandidatit të propozuar nga PDK. Ndërsa, deputetët e Listës Serbe zgjodhën abstenimin. E ndodhur sërish përballë dështimit të seancës konstituive, kryesuesja Flora Brovina tani veproi konform aktgjykimit  të Gjykatës Kushtetuese.

 “Për shkak të votave të pamjaftueshme të PDK-së e cila e ka të drejtën e kandidimit të kryetarit të Kuvendit, jam e detyruar ta ndërpres këtë seancë. Deputetët do të lajmërohen me shkrim për vazhdimin e seancës konstituive gjatë javës së ardhshme. E lus sekretarinë që t’i përmbahet udhëzimit në mbështetje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e seancës nga unë”, tha Brovina. 

 Pavarësisht bllokadës tashmë të rikonfirmuar në Kuvend, diplomatët perëndimorë të akredituar në Prishtinë nuk e kanë ndërmend të ndërhyjnë. 

 “Bashkësia ndërkombëtare nuk do të ndërhyjë. Është në dorën e përfaqësuesve politik të zgjedhur të Kosovës që të vendosin për formimin e institucioneve. Po ashtu është në duart e presidentes që të vendos për të ndërhyrë në këtë çështje apo jo. Ne nuk përzihemi”, thotë Ian Cliff, ambasador i Britanisë së Madhe, në Kosovë.

 Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, seanca e Kuvendit të Kosovës duhet të vazhdojë sërish, ndërsa sipas po të njëjtit aktgjykim, vetëm Grupi më i madh parlamentar, që është ai i PDK-së, mund ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar.

Top Channel