“Kleçka”, rinis gjykimi ndaj Limaj

17/09/2014 00:00

Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ka rinisur të mërkurën gjykimi ndaj Fatmir Limajt, dhe të tjerëve për rastin “Kleçka”.

Ndaj Limajt dhe të tjerëve dy herë radhazi janë nxjerrë aktvendime liruese me të cilat të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, por vendimin e dytë nuk ka mundur ta vërtetojë Gjykata e Apelit, si gjykatë e shkallës së dytë.

Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tomë Gashi tha për Top Channel se gjatë seancës ka dëshmuar vëllai i Agim Zogajt, i njohur më parë si “Dëshimtari X”, i cili ka bërë vetëvrasje në vitin 2011 në Gjermani.

Lidhur me parashtrimin e pyetjeve sqaruese nga paneli i Gjykatës së Apelit nuk ka pasur vërejtje as nga prokuroria e as nga ana e mbrojtjes.

Seancat e radhës lidhur me rastin “Kleçka” janë caktuar në datat 18, 23, 25 shtator, si dhe më 26 të të njëjtit muaj nëse do të jetë e nevojshme.

Përveç Limajt, të akuzuar në këtë rast janë edhe Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj.

Kjo seancë ka pamundësuar pjesëmarrjen e liderit të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në takimin e liderëve të bllokut opozitar lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.

Për të njejtën arsye, Limaj mund të mos të jetë prezent as në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi në të njejtën kohë të enjtën në orën 10:00 ai duhet të paraqitet në Gjykatën e Apelit.

Top Channel