Blloku postzgjedhor gati për seancë

17/09/2014 00:00

Koaliconi paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje u takuan një ditë para seancës për konstituimin e Kuvendit. Pas takimit, në emër të kolacionit, Ramush Haradinaj pa dashur të japë shumë detaje tha se epilogu i seancës dihet dhe sipas tij kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kuvendit nuk do të votohet.

“Detaje nuk do të jap. Kuptohet që pjesa e parë e seancës ka të bëjë me kandidaturën, me votimin dhe si do të veprojmë ne. Me siguri do të merrni vesh nesër”, deklaroi Haradinaj.

I pyetur se si do të veprojë blloku nëse votohet kandidati i PDK-së, ai u përgjigj: “Nuk ka për t’u votuar”. Gjithashtu, Haradinaj u shpreh optimist sa i përket përkrahjes së Listës Serbe për bllokun opozitar në seancën e nesërme.

“Lista Srpska ka pozicionin e vet kushtetues në qeverisje. Ajo është e mirëpritur në çdo situatë për shkak se ashtu e parashikon Kushtetuta jonë, por edhe sepse është në interes të Kosovës integrimi i mëtejshëm i serbëve, atyre në brendësi të Kosovës por edhe atyre në veri. Pra, janë të mirëpritur në hapësirën kushtetuese që kanë”, theksoi kreu i AAK-së.

“Këto punë nuk janë zgjedhje dëshirash, por cila është zgjidhja reale dhe në këtë rast kuptohet se ata nuk kanë shumë zgjidhje. Zgjidhja e vetme që u mbetet për pjesëmarrje në qeverisje është me koalicionin LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje”, shtoi ai.

Por në anën tjetër mësohet se Lista Serbe nuk do ta mbështesë bllokun opozitar. Pas një takimi mes përfaqësuesve të kësaj partie, kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç dhe shefit të zyrës qeveritare për Kosovën, Marko Gjuriç, ky i fundit tha për mediat serbe tha se Lista Serbe nuk do të mbështesë grupe ekstremiste apo parti që punojnë haptazi kundër interesave të serbëve, siç është lëvizja Vetëvendosje.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të enjten për të vazhduar seancën konstituive, e cila u ndërpre më 17 korrik.

Top Channel