Kosovë, bllokohet Gjykata Kushtetuese

15/09/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nga e hëna nuk mund të marrë asnjë vendim për ndonjë lëndë të karakterit kushtetues që lidhet me politikën.

Deri të hënën, Kushtetuesja kishte kuorumin minimal prej 7 gjyqtarësh, por dorëheqja e papritur e gjyqtarit amerikan Robert Carolan ka bllokuar tërësisht punën e Kushtetueses.

Sipas njoftimit në faqen e internetit të Gjykatës, dorëheqja e gjyqtarit Carolan lidhet me arsye personale. Por thuhet se Carolan kishte pakënaqësi me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Isa Mustafës kryepalrmentar jokushtetues.

Para dy javësh, të gjithë gjyqtarëve ndërkombëtarë në Kushtetuese, presidentja Atifete Jahjaga, sipas marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, formalisht ua vazhdoi mandatin.

Duke u mbështetur në Nenin 20 të Kushtetutës, presidentja Jahjaga përmes marrëveshjes ndërkombëtare me BE-në ia barti misionit të EULEX-it të drejtën e emërimit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka shpjeguar për Top Channel se tani proçedura e përzgjedhjes së gjyqtarit të ri ndërkombëtarë duhet të bëhet nga Zyra e shefes së Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Siguri dhe kjo do të marrë kohë për shkak të konsolidimit të vetë asaj zyre në Bruksel.

Në Zyrën e Presidentes ende nuk ka mbërritur zyrtarisht njoftimi për dorëheqjen e gjyqtarit amerikan, prandaj nuk kanë preferuar të flasin para se të njoftohen zyrtarisht.

Burime të Top Channel nga Gjykata Kushtetuese kanë bërë të ditur se largimi i gjyqtarit ndërkombëtar do të përbëjë problem në situatën aktuale të bllokimit të institucioneve, por shpresojnë se presidentja në bashkëpunim me EULEX-in do të gjejnë zgjidhje në një afat më të shpejtë.

Sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, 3 gjyqtarë mund të pranojnë një lëndë për shqyrtim nga gjykata, por për atë lëndë nuk mund të merret vendim pa qenë 7 gjyqtarë në vendimmarrje.

Në fakt, Kushtetuesja aktualisht i ka shtatë gjyqtarë, por njëri prej tyre, Kadri Kryeziu, është i pezulluar nga vendimmarrja në rastet që kanë të bëjnë me lëndë politike, për shkak se në zgjedhjet e fundit është parë në fushatën e PDK-së në Prizren.

Top Channel