Vetëm një javë pas takimit të parë për Bankën e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ishte sërish në zyrën e kryetarit të shtetit Bujar Nishani.

Motivi është i njëjtë, detajet mbeten të pazbardhura. Presidenca, ashtu si në takimin e parë, nuk ka bërë asnjë njoftim për takimin mes dy zyrtarëve të lartë të shtetit, heshtje që mesa duket është respektuar edhe nga Kryeministria.

Takimi mes presidentit dhe kryeministrit, i fiksuar nga kamera e Top Channel teksa ky i fundit ka dalë nga Presidenca, ka zgjatur rreth 30 minuta.

Në qendër të tij duket se ka qenë emri i guvernatorit të ri të Bankës Qendrore. Është atributi i Presidentit të Republikës propozimi i atij që do të pasojë Ardian Fullanin në këtë post, emri i të cilit është edhe shkaku i takimeve të njëpasnjëshme të kryeministrit me presidentin.

Ndërsa për vendet vakante në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë kryeministri njoftonte pak ditë më parë se “do t’ju drejtohemi shqiptarëve që punojnë në sistemin financiar ndërkombëtar për vendet në Këshillin Mbikqyrës të BSH-së. Javën tjetër thirrja!”, për guvernatorin janë të nevojshme konsultat me Presidentin e Republikës. 

Takimet mes Ramës dhe Nishanit për këtë çështje vijnë pas një periudhe jo të mirë të marrëdhënieve mes dy institucioneve që kulmuan me qëndrimet për dekretet në Kuvend. Sa do të reflektojnë këto çështje në konsultimet dhe konsensusin për emrin e ri të kreut të bankës mbetet per t’u parë.

Takimi Nishani-Rama vjen vetëm pak ditë përpara shkarkimit nga Kuvendi i Ardian Fullanit, votim që lë të lirë postin e guvernatorit në seancën që është fiksuar për të enjten.

Por, burime për Top Channel bëjnë me dije se është duke u parë mundësia e afrimit të mbledhjes së Parlamentit, vendim që do të saktësohet nga Konferenca e Kryetarëve.

Por, asnjë prej procedurave parlamentare për Ardian Fullanin nuk do të ndodhë përpara vendimit të Gjykatës së Apelit në mesditën e së hënës. Pritet me interes vendimi i kësaj gjykate në të cilën është kundërshtuar vendimi i Gjykatës së Tiranës për masën e arrestit me burg të Fullanit.

Top Channel