“Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka shkelur ligjin duke vënë mjetet e ushtrisë në shërbim të operacioneve të policisë.”

Tani është radha e Partisë Demokratike të akuzojë ministren e Mbrojtjes duke iu referuar përfshirjes së ushtrisë dhe përdorimit të mjeteve të saj gjatë operacionit anti-kanabis në Dukagjin.

Një prej helikopterëve pësoi dëmtime gjatë operacionit dhe sipas demokratëve, ministrja Kodheli është përgjegjëse direkte për dëmin e shkaktuar prej 12 milionë eurosh sepse ka dhënë urdhra të paligjshëm: “Dhënia e mjeteve të ushtrisë pa një marrëveshje, pa një vendim qeverie, pra, pa një bazë ligjore, është një shkelje e rëndë. Duke i konsideruar asetet publike si pronë private, ninsitrja e Mbrojtjes ka shkelur ligjin dhe ajo sot është nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Media ka denoncuar faktet prej kohësh, por ministrja e Mbrojtjes hesht”,

Me një ton më të ashpër se çdo herë tjetër, demokratët i kërkuan Prokurorisë të veprojë: “Është koha që Prokuroria e Përgjithshme të tregojë vëmendjen e duhur ndaj këtij abuzimi me pasurinë publike që ka kushtuar 12 milionë euro. Shkelja e ligjit dhe dëmi financiar i ardhur si pasojë kërkojnë hetim të menjëhershëm, të thellë dhe serioz. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë të mos mbyllë sytë para shkeljeve e shpërdorimit të qeverisë, të nisë menjëherë hetimin, të garantojë zbatimin e ligjit dhe të vërë shkelësit para përgjegjësisë.”

Top Channel