Berisha-Meksi, replika për bankën

13/09/2014 00:00

Mes ish-kryeministrit Berisha dhe anëtares së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi prej mesditës së sotme ka nisur një seri akuzash dhe përgjigjesh në rrjetin social Facebook.

Ish-kryeministri Berisha shkruan në faqen e tij se, “burime në Kuvend i kanë thënë se 5 ditë më parë është dorëzuar vjedhurazi, thuhet nga Ermelinda Meksi, dhe fotokopjuar në Parlament dosja më sekrete e Bankës së Shtetit, e cila përmban të gjitha kodet, hyrjet dhe daljet sekrete të dhomave të kasafortave ku ruhen thesaret e gurëve, monedhave të cmuara, lingotat e floririt, kartëmonedhat e vendit, si dhe vendndodhja dhe inventari i plotë i këtyre të fundit”.

Berisha shkruan se, “i bën thirrje guvernatores në detyrë të kërkojë përforcime për mbrojtjen e Bankës dhe objekteve të saj dhe të nisë me shpejtësi ndryshimet e kodeve, celësave, mekanikë dhe elektronikë, të sistemeve të sigurisë së Bankës, për të mbrojtur vlerat bankare të shqiptarëve para se të sulmohen dhe grabiten nga bandat e qeverisë”.

Pas kësaj deklarate është pergjigjur zonja Meksi, e cila e quan gjithcka “fantazi të sëmurë” dhe e pyet ish-kryeministrin se, “mos ka parë mbrëmë filmin me Demi Moor “Banka e Diamantëve” dhe i doli sot në endërr?”. Meksi ka shpjeguar se, si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës nuk ka asnjë akses në të dhënat që pretendon ish-kryeministri.

Meksi i drejtohet ish-kryeministrit duke i thënë: “Doni të provokoni publikun duke i thënë me gjuhën tuaj të helmuar se vjedhja e ndodhur kur drejtonte guvernator Fullani nuk ishte asgjë, sepse sipas jush e gjithë kjo histori ishte që të merreshin kodet e hyrjes dhe pastaj të sulmohej banka nga bandat. Kjo është gjuhë e denjë për një individ që vetëm raporti mjekësor mund t’i gjejë alibi”.

Më pas zonja Meksi i drejtohet guvenratores Elisabeta Gjoni, duke i kërkuar që të sqarojë zotin Berisha se, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës me kohë të pjesshme nuk kanë akses në Bankë, “ku edhe për të hyrë në mbledhje duhet të na shoqërojë dikush nga ju dhe jo më të dimë kodet”.

“Ato, vetëm ju si administratore ekzekutive i dini. Sqaroje që të mos shpenzojë më kohë as në Fb, duke lëshuar brockulla të tilla”, përfundon komentin e saj zonja Meksi. 

Top Channel