“Rikthejuni axhendes se integrimit”

12/09/2014 00:00

Martin De La Beij, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, i ka dhënë fund detyrës në Tiranë për ta vijuar atë si diplomat në Argjentinë.

Për këtë ai organizoi një ceremoni ku mes të ftuarve ishin kolegë diplomatë, ministra dhe qyetarë të Holadës që jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Pak përpara kësaj ceremonie, Top-Channel zhvilloi një intervistë me ambasadrin Martin De La Beij, ku ai deklaroi se largohet nga Shqipëria pas dy vjetësh, i kënaqur e njëkohësisht krenar që mundi të jetë pjesë e ndryshimeve që kanë ndodhur, sic ishin rotacioni politik dhe marrja e statusit të vendit kandidat.

Martin De La Beij fillimisht i dha përgjigje pyetjes nëse në këndvështrimin e tij, axhenda e integrimit europian pas marrjes së statusit ka një lloj eklipsimi nga zhvillimet e brendëshme politike.

“Po. Këtu shikoj një problem të vogël. Është një lloj “përgjumjeje” e lehtë në këtë drejtim pas vendimit të qershorit. Më pas patëm sezonin e verës, i cili duket se është përdorur për cështje të brendshme politike e që shkoi deri në një luftë politike. Shpresoj që fokusi për integrimin të rikthehet në cështjet e rëndësishme të reformave e posacërisht në reformën në drejtësi, një prej pesë kushteve në axhendën për të mbërritur tek celja e negociatave për antarësim në BE. Shpresoj se axhenda europiane do të nisë të merret në konsideratë përsëri, duke u trajtuar si më e rëndësishme në krahasim me cështjet politike të brendshme, të cilat fatkeqësisht po zhvillohen jashtë parlamentit. Dua ta theksoj se demokracia funksionon më së miri nëse të tilla diskutime apo debate politike zhvillohen brenda parlamentit. Ky është vendi ku diskutimet duhet të zhvillohen”, deklaroi De La Beij.


Sapo e thatë se debatet duhet të zhvillohen brenda parlamentit. Si e shihni bojkotin që po bën opozita?

“Ne e kemi parë këtë të ndodhë edhe në të shkuarën, gjë e cila nuk i ka kontribuar aspak imazhit të Shqipërisë në Europë. Kjo është duke ndodhur përsëri, por shpresoj të dilet nga ky rreth vicioz bojkoti. Sic e theksova, politikanët duhet të angazhohen në dialog, gjë e cila duhet të ndërmerret nga të dyja palët. Kjo nuk i takon vetëm opozitës, por edhe qeverisë e cila ka për të detyrë të ndërmarrë gjithëpërfshirjen duke përfshirë edhe opozitën. Më pas është në dorë të opozitës të ndërtojë një sjellje konstruktive për të arritur objektivat e saj në përputhje me rolin që ka për ta luajtur si opozitë”, vlerësoi ambasadori.

A e shikon arrestimin e guvernatorit Fullani si një test të rëndësishëm për drejtësinë shqiptare? Ambasadori De La Beij jep këtë përgjigje:

“Është një test në dy drejtime. Fillimisht për të patur pavarësi dhe një drejtim kualitativ në punën e Bankës së Shqipërisë, si një institucion i pavarur, gjë e cila merr një rëndësi të vecantë. Së dyti, organi i akuzës dhe procesi ligjor këto momente të lejohet të tregojë që është i mundur dhe ka kapacitete për t’u marrë me të tilla cështje të rëndësishme për vendin”.

Top Channel