Pas ndarjes, nis reforma e decentralizimit

12/09/2014 00:00

Duke e cilësuar një premtim të mbajtur, fillimin e diskutimit të reformës së decentralizimit në vjeshtë, mazhoranca ka nisur tryezat për këtë çështje me atë që është pjesa më e vështirë, por edhe më e rëndësishme, decentralizimi fiskal.

Në prani të kryetarëve të Shoqatave të Bashkive e Komunave, jo vetëm të majta por edhe të djathta, janë prezantuar dy platformat, ajo e USAID dhe Ministrisë së Financave, për modelin fiskal që do të ndiqet pas zgjedhjeve vendore të 2015-s, kur vendi, nga 385 njësi, reduktohet në 61 Bashki.

Nga ky reduktim përfitohen 6 miliardë lekë, që ministri Shkëlqim Cani ua premtoi pushtetit të ri vendor, se do t’iu mbetet atyre për investime, ndërsa do t’iu shtohen edhe të ardhura të tjera nga reforma e taksave, që pritet të prekë edhe ato kombëtare në favor të rritjes së të ardhurave të vendorëve.

“Taksa që ndjehet më fort, ajo e pasurisë, që edhe në vetvete nuk mblidhet as në gjysmën e vet, ne po shohim për një reformë në këtë taksë dhe mendojmë se shumë shpejt do të krijojmë, unë do ta quaja kadastër fiskale. Shumë shpejt do të përpiqemi ta realizojmë atë dhe besojmë se ndoshta viti 2015 do ta kapë, por kurdo që të ndodhë do të duhet të ecim shumë shpejt me të. Po kështu edhe paketa fiskale gjykojmë se kërkon rishikime, ndoshta e prek viti 2015, pasi duam të merremi edhe me rentën minerare”, theksoi ministri Cani.

Premtimet e ministrit Cani kanë lënë të kanaqur edhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të pushtetit vendor, Bashkim Finon.

“Nga këto të ardhura shumë të mëdha, që nëqoftë se do të realizohen dhe duhen të realizohen brenda vitit 2015 të jeni të bindur që 2.1 i PBB-së do të rritet shumë shpejt dhe do të shkojë 3, 3.5 apo 4, ndërsa për mua nga 4 deri në 6, sepse vërtet kështu ne i japim një pavarësi organeve të pushtetit vendor. E them këtë që shërbimet dhe kërkesat e qytetarëve nesër të mos shkojnë te ministri i Financës apo i Pushtetit Vendor, por ta kthejnë kokën te kryebashkiaku dhe Këshilli Bashkiak që i kanë zgjedhur drejtpërdrejt si për shërbime, për pastrime, për investime e të gjitha me radhë”, u shpreh ministri Fino.

Decentralizimi, që do të udhëhiqet sërish nga Ministria e Pushtetit Vendor, është një proces që do të bashkëshoqërohet me hartimin e një ligji integral për decentralizimin fiskal vendor, ku ministri ministri Çuçi tha se mekanizmat do të diskutohen.

“Ka disa mekanizma që sic i patë lidhen me modelin fiskal, me futjen e taksave dhe ndarjen e atyre kombëtare të përbashkëta. Futet koncepti i ndryshimit të administrimit të mbledhjes së të ardhurave. I gjithë ky është një sistem rregullash dhe instrumentash në mënyrë që të kemi rritjen e peshës absolute dhe relative të të ardhurave të qeverisë vendore në raport me PBB-në. Sepse sot trashëgojmë një përqindje shumë të ulët, më e ulta në rajon. Sic e patë e gjetëm 2.1 në 2013-n e cuam në 2.4 në 2014-n dhe synojmë ta çojmë sa më lart në të ardhmen”, tha ministri Çuçi.

Se kur është afati i aplikimit të modeli të ri fiskal, qeveria thotë se 2015-a konsiderohet një vit ushtrimor, pasi gjysma e tij e parë do të funksionojë me modelin e vjetër të pushtetit vendor, deri në zgjedhje, nga ku do të mbeten vetëm 61 Bashki.

Top Channel