Jetesa, Kosova nen mesataren e BE

12/09/2014 00:00

Standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës, bazuar në të ardhurat për banor është nën mesataren e të ardhurave dhe standardit të jetesës së qytetarëve në Bashkimin Evropian.

Vlerësimi u bë publik në konferencën ku Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi Produktin e Brendshëm Bruto për vitet 2008-2013, me qasjen e shpenzimeve me cmime aktuale dhe konstante.

“Sa do të duhej të ishte varet me cka krahasohet. Në qoftë se krahasohet me Bashkimin Evropian, Kosova është larg atyre standardeve. Ne tani nuk mund të pretendojmë. Dihet cila është mesatarja e standardit evropian, Kosova nuk është në ato nivele. Vendi që ka GDP për banor më të lartë është Luksemburgu, që ka një popullsi të vogël, një ekonomi të zhvilluar dhe të ardhurat janë të larta. Kosova nuk është në mesatare, është nën mesatare”, ka thënë Ilir Berisha, drejtor i Departamentit të Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare në ASK.

Kurse drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi ka thënë se, krahasuar me statistikat e vitit 2008, në 2013-ën GDP-ja është rritur me rreth 2 miliardë euro.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto është llogaritur në bazë të parimeve metodologjike të sistemit evropian të llogarive, ESA 2010 dhe sistemit të llogarive kombëtare SNA 2008, duke shfrytëzuar burimet e të dhënave administrative ekzistuese si dhe anketat statistikore zyrtare, të cilat i ka realizuar ASK. Të dhënat kryesore nga ky publikim janë: GDP-ja për vitin 2013 arriti në 5 miliardë e 326.6 milionë euro, ndërsa në vitin 2008 ishte 3 miliardë e 882.8 milionë euro. GDP-ja për banor për vitin 2013 arriti në 2.935 euro, ndërsa për vitin 2008 ishte 2.258 euro. Norma reale e rritjes së produktit vendor ishte 3.4 për qind në vitin 2013”, ka deklaruar Krasniqi.

Gjatë publikimit të statistikave të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga ASK u tha se rritja reale për vitin 2013 u ndikua nga rritja e shpenzimeve të konsumit final të ekonomive shtëpiake, rritja e eksportit të mallrave dhe rënia e importeve.

Top Channel