Hahn zëvendëson komisionerin Fyle

12/09/2014 00:00

Austriaku, Johannes Hahn, komisioneri aktual për Rajonet që pritet të merret me Fqinjësinë dhe Zgjerimin nga nëntori, garanton vijimin e procesit të zgjerimit të BE-së.

Por pasuesi i çekut, Stefan Fyle shpjegon se Komisioni në të ardhmen do të përqendrohet më shumë te cilësia se sa te shpejtësia e këtij procesi.

“Jam i kënaqur pasi kjo është pikërisht ajo që dua të bëj gjatë 5 viteve të ardhshme, sepse është një moment kyç për Europën për të ngritur një tjetër marrëdhënie me fqinjët tanë. Kështu që politika e fqinjësisë është e një rëndësie jetike dhe së dyti, vijimësia e procesit tonë të zgjerimit reflektohet gjithashtu në titullin e pozicionit tim të ri Komisioner për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit. Prandaj, procesi për zgjerimin e mëtejshëm do të vazhdojë, por sigurisht që lidhet me cilësinë dhe jo me shpejtësinë”, deklaroi Hahn.

Turqia mbetet shembull për ngadalësinë e procesit të anëtarësimit, pasi negocion që prej vitit 2005, ndërkohë që është pjesë e Unionit Doganor prej vitit 1995.

Kroacia shënoi zgjerimin e fundit të BE-së më 1 korrik 2013. Aktualisht, vetëm dy vende të Ballkanit kanë çelur negociatat e anëtarësimit, Mali i Zi dhe Serbia. Shqipëria dhe Maqedonia gëzojnë statusin kandidat, kanë dialog të nivelit të lartë, por mbeten në pritje të nisjes së bisedimeve. Kosova ende nuk ka nënshkruar MSA-në, ndërsa Bosnja mbetet vend potencialisht kandidat për në BE.

Pergatiti: Arta TOZAJ

Top Channel