Shkarkimi i guvernatorit Fullani

11/09/2014 00:00

Përgjatë seancës parlamentare, ndër më të shkurtrat e këtij viti, në mungesë të opozitës e përfaqësuar vetëm nga Nard Ndoka në sallë, ka zhvilluar paralelisht mbledhjen Komisioni parlamentar i Ekonomisë.

I drejtuar nga kryetari Erjon Braçe, komisioni ka marrë në shqyrtim propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin nga detyra të guvernatorit të arrestuar Ardian Fullani.

Bazuar në ligjin për Bankën e Shqipërisë, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë në unanimitet kanë votuar pro shkarkimit të Ardian Fullanit.

“Motivacioni është shkelje e etikës në punë dhe cënimi i thellë i interesave të Bankës së Shqipërisë. Ky është motivacioni që ka sjellë KM sipas ligjit. Komisioni e ka gjetur në përputhje me ligjin për BSH propozimin e KM i BSH dhe e ka miratuar me unanimitet shkarkimin e guvernatorit të BSH”, tha Erjon Braçe.

Me të njëjtin motivacion dhe mbështetur në të njëjtën bazë ligjore, ka nisur gjithashtu edhe procedura për mbledhjen e 28 firmave të nevojshme të deputetëve, për lirimin nga detyra edhe të Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi, e arrestuar gjithashtu me vendimin e Gjykatës së Tiranës.

“Janë të ydja të mbështetura në ligjin për BSH dhe që i hapin rrugën për të vijuar me procedurat e emërimit të drejtuesve të rinj të këtyre institucioneve drejtuese të BSH”, shtoi deputeti Braçe.

TCH: A do të vijë shkarkimi i tij në seancën e ardhshme, të enjten tjetër?

“Po, patjetër, relacionet e komisionit së bashku me vendimet respektive të komisionit do t’u paraqiten kryetarit të Kuvendit dhe planifikohen të jenë në rendin e ditës së seancës në vijim”, deklaroi Braçe.

Votimi në seancën e javës që vjen nga Kuvendi i jep fund procedurave të shkarkimit të guvenatorit Ardian Fullani, duke i hapur rrugë fillimit të procedurave për emërimin e kreut të ri të Bankës Qendrore. Ligji parashikon se është Presidenti i Republikës, ai që propozon emrin e ri të guvenatorit të Bankës së Shqipërisë.

Qeveria: S’ka nxitim për emërimet e reja
“Banka funksionon edhe me anëtarët e Këshillit dhe guvernatorin në detyrë”

Qeveria vlerëson se nuk ka pse nxitohet me emërimin e drejtuesve të rinj të Bankës Qendrore.

“Nuk ka vend për panik, procesi ka hyrë në një rrjedhë normale. Natyrisht ka afate ligjore brenda të cilave Parlamenti duhet të japë vendimin dhe opinionin e vet. Por funksionimi i BSH nuk është i penguar, pasi edhe me numrin aktual të KM dhe guvernatores në detyrë puna e saj vazhdon normalisht”, tha Niko Peleshi.

Zëvendëskryeministri garantoi se interesi i qeverisë në këtë proces është një bankë më e fortë dhe më e pavarur.

“Nuk ka asnjë qëllim qeveria shqiptare që të kapë politikisht institucionet e pavarura, aq më tepër BSH, pra ne do të jemi pjesë shumë aktive dhe do t’i japim integritet këtij procesi të rëndësishëm për BSH”, u shpreh më tej Peleshi.

Zëvendëskryeministri e cilësoi papërgjegjshmëri qëndrimin jashtë Parlamentit të opozitës. Duke vlerësuar se gjithsesi është në dorë të saj të vendosë llojin e opozitës që do të bëjë, Peleshi tha se do t’i bënte mirë procesit parlamentar prezenca e demokratëve në sallë.

Top Channel