Rama: Marredhenie te reja Shqiperi-Kine

11/09/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama, takimin me homolun e tij kinez, gjatë një interviste për radion e jashtme të Kinës në gjuhën shqipe, e shikon në vazhdën e takimit të nisur me plane e projekte të reja, si dhe mundësi të reja, që ka sot Shqipëria dhe rajoni për të rritur bashkëpunimin.

Rama, fillimisht i përgjigjet pyetjes se cilat janë fushat më me përparësi për zhvillimin e bashkëpunimit me Kinën.

“Ka një komponent, që lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen e qeverisë kineze, por ka dhe një komponent tjetër, që lidhet me krijimin e kushteve për sipërmarrjet private kineze. Për sa i përket pjesës që lidhet me qeverinë kineze, ne praktikisht jemi duke finalizuar një marrëveshje për financimin e punimeve për Rrugën e Arbrit dhe, ndërkohë, jemi duke diskutuar për një sërë projektesh të reja, ku do të përmendja projektin e sistemit hekurudhor, që mund të jetë një projekt i financueshëm nga pala kineze, duke pasur parasysh dhe interesimin e shprehur nga qeveria kineze për rajonin në tërësi, në këtë aspekt; projektin e autostradës së kaltër, gjë që e kemi biseduar edhe në takimin e Bukureshtit, padyshim projekte që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e bujqësisë dhe jo vetëm të infrastrukturës, peshkimit, por edhe të arsimit. Sot, kryeministri Li ka bërë prezent nismën për t’i dhuruar qeverisë shqiptare një grant prej 10 milionë juanësh, të cilat do të shkojnë për financimin e projektit tonë të madh të transformimit të sistemit të mësimdhënies përmes inovacionit dhe kemi folur edhe për portin e Shëngjinit, që është një projekt madhor dhe që besojmë se ka një interes konkret”, është shprehur kryeministri Rama.

Shqipëria, ka deklaruar Rama gjatë kësaj interviste, nuk është ajo që ishte dikur për Kinën dhe pesha e Shqipërisë në raportet e Kinës me botën është shumë më relative, por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që ne të mos i bëjmë të gjitha përpjekjet, që Shqipëria të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në Kinë.

Top Channel