Jahjaga, thirrje politikes se Kosoves

11/09/2014 00:00

Presidentja Atifete Jahjaga nuk po i ndal thirrjet drejtuar spektrit politik në Kosovë që të formojnë sa më shpejt institucionet.

Kryetarja e shtetit shfrytezoi mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete, që t’u bënte thirrje deputetëve të zgjedhur që të jenë të përgjegjshëm ndaj votës që u kanë dhënë qytetarët.

“Garantimi i funksionimit demokratik të institucioneve nuk nënkupton imponimin e zgjidhjeve nga një institucion tjetër dhe aq më pak ndërhyrje për të instaluar praktika jokushtetuese në vendin tonë. Kosova është demokraci parlamentare dhe përgjegjësitë e secilit institucion janë të ndara dhe të përcaktuara me Kushtetutë. Po aq sa janë të përcaktuara edhe mandatet dhe kohëzgjatja e secilit prej institucioneve! Por ne do t’i bashkërendojmë veprimet tona për të mirën e vendit, duke ruajtur autonominë e secilit prej institucioneve tona dhe duke garantuar funksionimin më të mirë të tyre”, deklaroi Jahjaga.

Sipas Jahjagës, kosovarët duhet të mësohen që ti gjejnë zgjidhjet vetë, pa kërkuar ndihmë nga jashtë. Presidentja tha se ka ardhur koha që politikanët të shohin përpara dhe të kujdesen më shumë për mirëqënien e qytetarëve të Kosovës, arsimimin e tyre, për shëndetësinë, mundësitë e reja për punësim për të drejtat e tyre njerëzore, për liritë e tyre, për procesin e bashkëpunimit, për integritetin territorial të vendit dhe për konsolidimin ndërkombëtar të tij.

Mbledhja e sotme e Këshillit Konsultativ për Komunitete u organizua për të mirëpritur anëtarët e rinj që do të jenë pjesë e këtij Këshilli, një kategori kjo e rëndësishme kushtetuese ku dëgjohet zëri i të gjitha komuniteteve përmes ndërtimit të politikave si vlerë e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.

Top Channel