Gërmimet e arkeologëve në Parkun e Amantias kanë nisur prej vitesh, por sa herë kthehen arkeologët atje, i gjejnë varret e grabitura.

Për të disatën herë, arkeologët thonë se janë grabitur sërish varret e vjetra, nga të cilat janë marrë sende me vlerë. Janë regjistruar 5 grabitje me radhë atje dhe, ndërkohë, bëhen vetëm thirrje për veprim.

“Ne apelojmë ndaj popullsisë lokale që t’i marrë në mbrojtje dhe t’i ketë parasysh këto vepra, sepse janë pasuri kombëtare dhe gjithë shtetit shqiptar”, u shpreh një arkeolog.

Një grup arkeologësh ka nisur punën për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga gërmimet abuzive, ndërsa janë rikuperuar disa sende të mbetura për shkak të pavëmendjes së grabitësve.

Vjetërsia e sendeve nis nga 500 vite para Krishtit, deri në shekullin e katërt pas Krishtit.

“Është një dëmtim i qëllimshëm për grabitje dhe kanë grabitur pjesën më të madhe të varreve, strukturën rrethore dhe atë të vet varreve, me të cilën janë kryer këto varrime”, shton një tjetër arkeolog.

“Varri është gjetur vitin e kaluar i grabitur dhe shkatërruar, kështu që jemi detyruar të bëjmë një devijim të projektit tonë, për t’u marrë me rikuperimin e këtij monumenti dhe më pas të vazhdojmë me pikat e projektit tonë. Kemi avancuar dhe jemi drejt mbylljes së këtij sezoni gërmimesh dhe nga hapja e sipërfaqes përreth u identifikuan edhe varrime të tjera të tipeve të ndryshme”, tha një tjetër profesionist.

Akropoli i Amantias paraqet vlera të mëdha arkeologjike për gjithë rajonin, ndërsa e gjithë zona mendohet se mbart një histori shumë më të madhe nën tokë.

Top Channel