Bllokohen 500 ndertime pa leje

11/09/2014 00:00

Që kur kryeministri dha urdhër për të bllokuar dhe identifikuar çdo ndërtim pa leje pak javë më parë, policia ka arritur të bllokojë më shumë se 500 të tilla, ndërsa gjykatat kanë dhënë 38 masa të arrestit me burg.

Numri dy i Policisë së Shtetit, i ngarkuar në krye të këtij aksioni, duke analizuar situatën thotë se policia po kontrollon territorin dhe i ka evidentuar ndërtimet: “Janë 560 procedime që ka nisur policia për ndërtime të paligjshme. Janë 38 persona të arrestuar në flagrancë dhe 15 persona në kërkim.”  

I pyetur nga Top Channel në lidhje me rregullimet e brendshme të banesave, një zakon i shpeshtë i qytetarëve, zoti Qato sqaron se nëse nuk bën ndërhyrje të projektit ekzistues, por vetëm punime të brendshme, nuk procedohesh.

Ai thotë se ligji për urbanistikën e ka të përcaktuar fare qartë se kush është një ndërtim pa leje: “Qytetarët duhet të njihen me ligjin 8405 të datës 17/09/1998 për urbanistikën. Ai e specifikon kush janë kushtet për të marrë një leje ndërtimi. Nuk ka pse të abuzohet pasi ligji është shumë i qartë. Nëse rregullimi brenda banesës nuk ndërhyn në strukturë, ato nuk janë objekt i punës sonë.”

Për të ngarkuarin nga Policia e Shtetit si drejtues të aksionit të ndërtimeve pa leje, Qato ka shënjestruar mbi të gjithë vendorët që kanë toleruar situatën. Ai tha se hetimet po kryhen dhe se pavarësisht funksionit që kryen, do të procedohet penalisht.

“Strukturat e tjera përgjegjëse, nëse do të kryenin detyrën e tyre si duhet, nuk do të ishim në këtë gjendje”, tha Qato.

Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë, nuk është dashur në asnjë rreth të vendit shtim të forcave të rendit për këtë aksion, pasi është përballuar nga vetë strukturat e policive lokale.

Top Channel