Gjykata e Korçës ka nisur zbatimin e projektit “Drejtësi pa Vonesa”. I pranishëm në ceremoni, ambasadori amerikan Aleksander Arvizu ka shprehur shqetësimin për shkallën e lartë të vonesës që ka drejtësia sot, ndërsa ka theksuar se zhvillimi i sistemit gjyqësor është vonuar si pasojë e papërgjegjshmërisë.

“Unë kam në Shqipëri afro 4 vite dhe dua të rrëfej që jam mahnitur dhe jam befasuar në shumë raste për të mirë dhe për të keq. Po flas në aspektin negativ, ku janë veçanërisht vështirësitë me të cilat shqiptarët përballen ndërsa bëhen pjesë e proceseve gjyqësore, shohin vonesat, nivelin me të cilin vonohet drejtësia që shqiptarët mund të marrin. Dhe në të vërtetë kjo gjë më trishton, zemëron, më bën të ndihem keq për shqiptarët pasi mua dhe Shtetevete të Bashkuara të Amerikës na intereson shumë mirëqenia e shqiptarëve. Menaxhimi aktiv i çështjeve gjyqësore kërkon përkushtim të patundur të gjyqtarëve, por edhe bashkëpunim të aktorëve të tjerë. Dhe për ata që largohen nga ky përkushtim, këta persona duhet të jenë llogaridhënës përpara secilit dhe të gjithë mjeteve të mundshme ligjore. Ky është çelësi që ka penguar përparimin e gjyqësorit në Shqipëri. Tani në vitin 2014 ka shumë vende ku shkelësit mund të fshihen, por ju mund t’i mbani ata të përgjegjshëm”, deklaroi zoti Arvizu.

Nga ana e tij ambasadori i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florion Raunig, ka theksuar se proceset e stërzgjatura po dëmtojnë drejtësinë në Shqipëri duke reflektuar pasojat e tyre tek qytetarët.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, u ka bërë apel gjyqtarëve që sistemi i drejtësisë të mos vuajë më nga sëmundja e zvarritjes së proceseve gjyqësore: “I bëj një thirrje të gjithë gjyqtarëve. Në konsideratë të implementimit të programit-pilot për një drejtësi pa vonesa, të marrin një rol më aktiv në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e proceseve të gjykimit duke marrë masat e nevojshme për minimizimin e zvarritjeve të proceseve gjyqësore.”

Kreu i shtetit Bujar Nishani gjithashtu tha se sistemi i drejtësisë shqiptare duhet të mbështetet nga të gjithë aktorët për t’i dhënë atij gjithë eficencën e domosdoshme: “Kam ndërmarrë nismën për organizimin e një tryeze diskutimi për reformën gjyqësore në Shqipëri në 6 tetor 2014.”

Në takim ka qenë prezent kryetar i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili tha se gjyqësori ka probleme me luftën kundër korrupsionit, por edhe rritjen e performancës.

Top Channel