PD: Rama, në Kinë me avion privat

10/09/2014 00:00

Opozita akuzoi sot kryeministrin Rama se ka udhëtuar drejt Kinës me një avion privat. Sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, në këtë rast kemi të bëjmë ose me një abuzim me taksat e shqiptarëve, ose me një dhuratë klienteliste që do të shpërblehet sërish me fonde publike.

“Edi Rama është përfshirë në një skandal korruptiv duke udhëtuar për në Kinë me një avion privat. Fluturimi i shtrenjë është një abuzim me fondet publike, nëse është paguar nga taksat e shtetit.

Dhe është një kompromentim i pastër, nëse është ofruar nga dikush që do të përfitojë konçesione në këmbim të dhuratës. Ky është një abuzim financiar, kompromentim dhe korrupsion i pastër.

Kapardisja prej baroni dhe fluturimi luksoz i Edi Ramës nuk kanë asgjë të përbashkët me nevojat dhe kërkesat e vendit dhe të qytetarëve.

Për këtë ata janë dhe do të jenë çdo ditë nën gjykimin e sovranit, para të cilit do të përgjigjen dhe do të japin llogari”, deklaroi Paloka.

Në orët e pasdites ka reaguar zyra e shtypit e Kryeministrisë, e cila ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga Partia Demokratike.

Selia qeveritare ka sqaruar se, udhëtimi dhe qëndrimi i kryeministrit Rama në Kinë është bërë përmes mbështetjes së ambasadës kineze në Tiranë.

“Udhëtimi i kryeministrit në Kinë nuk u ka kushtuar asnjë qindarkë taksapaguesve shqiptarë”, thuhet në një deklaratë zyrtare për shtyp.

Top Channel