Dhunohen dy punonjesit e OSSHE

10/09/2014 00:00

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me anë të një deklarate për shtyp, ka dënuar rëndë aktin e dhunimit të dy punonjësve të saj.

“Gjatë ushtrimit të detyrës funksionale, elektricistët Misir Kumria dhe Shkëlqim Baftaj janë goditur me mjete të forta. Të dy këta punonjës janë në gjendje të rëndë te Qendra e Traumës në Spitalin Ushtarak. Dy elektricistët ishin duke kryer prerjen e energjisë elektrike për abonentët debitorë sipas listës së miratuar nga Drejtoria Rajonale e kryeqytetit në OSHEE”, thuhet në deklaratën e OSHEE-së.

Më tej, OSHEE-ja garanton se nuk do të tërhiqet as përballë dhunës verbale dhe asaj fizike në kryerjen e funksioneve të saj.  

“Bëjmë të ditur se ata që vjedhin energjinë elektrike nuk do të gjejnë mbështetjen e strukturave të kompanisë, as përmes ryshfetit dhe as përmes tarafit, sikundër kanë bërë deri në qershor 2013. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i bën thirrje opozitës që të lërë mënjanë deklaratat spekullative dhe mashtrimet publike dhe të tregohet bashkëpunuese në mbështetje të shtetit ligjor dhe të mos frymëzojë  aktet e dhunës dhe refuzimit për të paguar energjinë elektrike”, mbyllet reagimi i OSHEE-së.

Top Channel