Ballkani pas “Procesit të Berlinit”

10/09/2014 00:00

Ai që njihet tashmë si “Procesi i Berlinit” do të jetë edhe forma përmes së cilës do të mbahet ritmi integrues i Ballkanit.

Në kushtet e rritjes së forcave europskeptike në Bruksel dhe një stopimi 5-vjeçar të zgjerimit deklaruar nga presidenti i Komisionit Jean Claude Juncker, procesi i hapur në Berlin shihet nga Tirana zyrtare, që ende nuk ka folur për afate eventuale për hapjen e negociatave, si rruga për ta mbajtur gjallë dialogun politik integrues të vendit.

“Pavarësisht se në kuptimin politik mund të thuhet se në 5 vitet e ardhshme nuk do ketë zgjerim, është me rëndësi që procesi të mbahet gjallë dhe të shoqërohet me instrumente financiare për të avancuar”, deklaroi ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare, i thirrur në komisionin e jashtëm për informimin mbi konferencën e Berlinit, deklaroi se ajo që i është kërkuar BE-së është edhe një ndarje më e favorshme e fondeve të Bashkimit Europian për rajonin, duke marrë parasysh faktin se vetë vendet e BE-së marrin 5-6 herë më shumë para sesa vendet e rajonit, duke krijuar edhe hendekun e madh mes tyre.

“Ne kemi kërkuar një shtrirje të instrumenteve financiare, që sot për sot BE përdor për vendet anëtare, gradualisht edhe për vendet e rajonit”, nenvizoi Bushati. Ministri i Jashtëm raportoi në komision edhe për samitin e NATO-s dhe qëndrimin e Shqipërisë në të.

Shtohen azilantët nga vendet në luftë
Tahiri prezanton projektligjin e ri për trajtimin e tyre

Përpara komisionit të politikës së jashtme, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri gjithashtu prezantoi projektligjin për trajtimin e azilantëve në territorin shqiptar.

Kriza në Lindjen e Mesme ka sjellë një rritjë të pranisë së tyre në Shqipëri dhe vendet burim janë Siria, Ukraina e Eritrea. Projektligji parashikon ngritjen e një komiteti shtetëror për verifikimin e apelimeve të azilkërkuesve në Shqipëri.

 “Në Shqipëri numrat janë më shumë se dyfishuar në një kohë të shkurtër, por jemi shumë larg vendeve të tjera si për shembull Italia sa i takon numrit të azilkërkuesve që kërkojnë dhe statusin e refugjatit. Ne nuk parashikojmë fluks të lartë që të kërkojë buxhet, kjo mund të ndodhë në vitet e ardhshme, por sot nuk gjendemi përpara këtij skenari”, deklaroi Tahiri.

Top Channel