Vlorë, asgjesohen 660 bimë narkotike

09/09/2014 00:00

Forcat e policisë së Vlorës kanë asgjesuar në 24 orët e fundit 660 rrënjë kanabis sativa, në kuadër të një operacioni për gjetjen dhe asgjesimin e plantacioneve.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave bimët narkotike janë gjetur në fshatin Gorisht, të mbjella në tre parcela dhe janë asgjesuar përmes zjarrit.

Burimet shtojnë se agjentët e anti-drogës të qytetit bregdetar po punojnë për të identifikuar pronarët e parcelave të mbjella me kanabis.

Dy ditë më parë, rreth 1.150 bimë narkotike u asgjesuan nga policia në Tepelenë, në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Kamcishti”.

Bimët ishin kultivuar në katër parcela të hapura rishtas në përroin e Kamcishtit. Bimët varionin deri në 3 metra lartësi.

Grupi hetimor grumbulloi prova në vendngjarje, si dhe informacione në rrugë operative për autorët e mundshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Të njëjtën ditë, policia e Fierit arrestoi një 24-vjeçar nga fshati Nikël i Fushë-Krujës, i cili po transportonte me makinë rreth 100 kilogramë hashash në drejtim të Tiranës.

Gazmir Rraja po udhëtonte me një autoveturë tip “Renault” me targa “AA 041 CP” dhe u ndalua në aksin rrugor Levan-Fier, pranë vendit të quajtur “Qafa e Koshovicës”.

Sektori i anti-drogës në Policinë e Fierit kishte siguruar informacione në rrugë operative për mundësinë e transportimit të një sasie lënde narkotike nga Vlora drejt kryeqytetit.

Autoritetet lokale bënë të ditur se transportuesi i hashashit nuk dha shpjegime rreth identitetit të shitësve dhe blerësve të drogës, por pranoi se po e transportonte lëndën narkotike kundrejt një pagese prej 2.500 eurosh.

Top Channel