Elisabeta Gjoni pyetet në Prokurori

09/09/2014 00:00

Nga ora nëntë e mëngjesit deri në orën 11.30, anëtarja e fundit e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni është pyetur nga prokurorët e njësisë task forcë jo vetëm si një ndër shtatë anëtarët e këtij këshilli, por edhe për detyrën e zëvendës-guvernatores.

Zonja Gjoni, aktualisht guvernatore e komanduar e BSH, u pyet nga prokurori Ramdan Troçi dhe oficeri i policisë gjyqësore, Elidon Hysenaj për nismat ligjore të ndërmarra për funksionimin e Departamentit të Emisionit, aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e këtij departamenti, si dhe për urdhërat dhe udhëzimet e nxjerra nga banka në përmbushje të vendimit numër 13, i datës 22 shkurt 2006.

Burime jozyrtare thanë për Top Channel, se zonja Gjoni ka përsëritur se ka zbatuar vetëm ligjin dhe rregulloren, ndërkohë që e pyetur nëse ka përgjegjësi Këshilli Mbikëqyrës për situatën e krijuar në Departamentin e Emisionit, thuhet se ajo është përgjigjur se përgjegjësia është individuale.

Edhe ish-zevendës-guvernatorja ka heshtur si të tjerët para mediave. Pritet që Prokuroria e Tiranës të bëjë një analizë pas pyetjes së gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës për të dalë në një konkluzion hetimor nëse do ta dyshojë apo jo edhe këtë strukturë për moskryerje të detyrës.

Top Channel