Stërvitja shqiptaro-britanike

08/09/2014 00:00

Të paktën 1.600 trupa të ushtrisë britanike kanë mbërritur në Shqipëri për të katërtin vit, për një stërvitje të përbashkët me ushtrinë shqiptare, e cila do të zgjasë disa javë.

Veç trupave, ushtria britanike gjatë kësaj stërvitjeje do të testojë dhe mjetet ushtarake, ku 3 avionë gjuajtës të Marinës Mbretërore do qëndrojnë në Shqipëri gjatë stërvitjes.

Po ashtu, 5 anije të Flotës Detare dhe helikoptermabjtësja “HMS Ocean” po lundrojnë nga Gjibraltari dhe planifikojnë zbarkimin e marinsave mbretërorë britanikë në fund të javës.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar ne Rinas, gjeneral major Zyber Dushku u shpreh se stërvitja i shërben bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Së bashku ne kemi qenë në Irak dhe Afganistan dhe kemi çfarë të ndajmë si eksperiencë. Keni mbështetjen e plotë të gjitha strukturave të Forcave të Armatosura dhe të dy palët kanë çfarë të mësojnë nga njëra-tjera”, u shpreh gjeneral major Dushku.

Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon, veç përshëndetjes së nisjes së stërvitjes, falenderoi qeverinë shqiptare për ndihmën e dhënë në Irak me municione.

“Qeveria ime dhe partnerët e tjerë të NATO-s i janë mirënjohës Shqipërisë për dhurimin e shpejtë dhe bujar të armëve dhe municioneve për qeverinë në Irak. Ky është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit me NATO-n”, deklaroi Cannon.

Top Channel