Familja Abazi: Lutje për kthimin e Erionit 8-vjeçar nga lufta

08/09/2014 00:00

“Në datën 1 Shtator, shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë i mungoi njëri prej nxënësve të saj më të mirë. Në klasën e tretë nuk erdhi Erion Zena, jo se ai nuk e donte dijen, por se një vendim i gabuar i babait të tij e çoi atë në një vend, ku sidomos fëmijët duhen mbajtur larg… Në luftë!”

Kanë kaluar dy muaj dhe Pranvera Abazi ende nuk e di se si është djali i saj i vetëm. Të hënën e 7 Korrikut, bashkëshorti i saj Arbeni i mori të birin, duke i thënë se po ikte për pushime në Rugovë, por askush nuk e mendonte se ky udhëtim ishte drejt Sirisë!

Me dhimbje të madhe për mungesën e të birit, Pranvera bën një letër pubike, ku i kërkon Arbenit t’ia kthejë djalin në shtëpi.

“Po të drejtohem ty dhe askujt tjetër me këtë letër të hapur. Arben, sot është 1 Shtatori, ditë e hënë, ora 8 e mëngjesit. Sot këtu është dita e parë e shkollës dhe sot Erioni do të duhej të vazhdonte klasën e tretë. Të takohej me të gjithë shokët e shoqet, që jam e bindur se i kanë munguar gjatë gjithë kësaj kohe, e i mungojnë edhe sot. Me çantën e mbushur plot me libra e fletore të reja, sot unë, apo edhe ti, do të duhej ta dërgonim Erionin në shkollë, duke parë fytyrën e tij të gëzuar dhe plotë harè, se do të takonte shoqërinë e klasës pas disa muajve të pushimit. Në cilën shkollë shkon tani Erioni, Arben? Po më fajësojnë se unë nuk kam bërë aq sa duhet të ta ndaloj Erionin, por si ta ndaloj unë, kur asnjëherë nuk do ta mendoja se një prind mund ta bëjë këtë, kudo në botë, e aq më pak ti. Ti e doje Erionin, si gjithë prindërit e tjerë fëmijët e tyre, por asnjëherë nuk do ta arrij ta kuptoj, pse është dashur ta merrje edhe Erionin me vete, në luftë. Po, po në luftë! A thua do të arrijë ta kuptojë një ditë edhe Erioni këtë, a thua do të arrijë të ta falë?”.

Tetë javë pa Erionin në familjen Abazi kanë qenë ditë tmerri dhe dhimbjeje. Pranvera e mban mend mirë ditën e vetme, kur ka dëgjuar zërin e të birit nga kampet e luftës, diku në Siri.

“Kam folur më 15 korrik, vetëm 5 ditë pasi kam marrë mesazhin. Kam folur përmes Viberit shumë pak me të dhe asnjëherë më tej. E pyeta se ku ishte, si kishte qenë dhe a donte të shkoja ta merrja. Mu përgjigj se ishte shumë larg, se nuk ishte vetëm, ndërsa ata të tjerët, për të cilët thuhet se ishin vëllezër muslimanë, nuk ia dhanë më telefonin të fliste”, shprehet Pranvera.

Çdo ditë që kalon, pritja për Pranverën bëhet më e vështirë. 14 vite me Arbenin, ajo nuk e kishte menduar kurrë, që ky do të ishte fati i saj. Një familje e arsimuar, me të ardhura ekonomike të mira dhe me një të ardhme përpara.

“Ne kemi qenë shumë mirë, s’kemi pasur probleme ekonomike që të arrinim deri në këtë rrugë, për të kërkuar realizimin e diçkaje. Të dy ishim në punë, kemi pasur rrogat tona, nuk është e vërtet që atë ta ketë detyruar gjendja ekonomike për të shkuar atje. Këtë nuk mund ta pranoj, sepse ishim të dy me rroga, ai e kishte shumë të mirë, ishim me punë dhe s’kemi qenë kurrë të varur nga dikush për të na mbajtur me bukë. Kemi folur edhe bashkë, më ka thënë që ai e kishte vendin atje, por pa na rregulluar neve nuk do të shkonte. Kishim disa vjet që flisnim, por ishte diçka që nuk e kisha pritur, të paktën për djalin”, shton më tej Pranvera.

Në shtëpinë e Pranverës, fotografitë e të birit janë kudo. Rrobat e tij, mamaja i shikon çdo moment. Të gjithë presin që Erioni të kthehet. E pret me padurim gjyshja e tij e dashur, Mirsija, që e kishte nipin e saj të preferuar, e pret çanta e shkollës. Atletet dhe topi i futbollit, ende janë aty. Në familjen Abazi jetojnë me shpresë se ajo derë do të hapet një ditë, për t’iu kthyer pranë tyre gëzimin e shtëpisë, Erionin.

Top Channel