Fier, sekuestrohen 100 kg hashash

07/09/2014 00:00

Policia e Fierit ka arrestuar një 24-vjeçar nga fshati Nikël i Fushë-Krujës i cili po transportonte me makinë rreth 100 kilogramë hashash në drejtim të Tiranës.

Gazmir Rraja po udhëtonte me një autoveturë tip “Renault” me targa AA 041 CP dhe është ndaluar në aksin rrugor Levan-Fier, pranë vendit të quajtur “Qafa e Koshovicës”.

Mësohet se sektori i anti-drogës në Policinë e Fierit kishte siguruar informacione operative për mundësinë e transportimit të një sasie lënde narkotike nga Vlora drejt kryeqytetit.

Policia e Fierit bën të ditur se transportuesi i hashashit nuk ka dhënë shpjegime rreth identitetit të shitësve dhe blerësit të drogës, por ka pranuar se po e transportonte lëndën narkotike kundrejt një pagese prej 2500 eurosh.

Top Channel