Zhvendoset helikopteri nga Dukagjini

05/09/2014 00:00

Helikopteri i policisë që mbeti në zonën e thellë malore të Dukagjinit është zhvendosur prej andej për t’u dërguar në Tiranë për riparim.

Një helikopter transportues ka shërbyer për të zhvendosur helikopterin që bëri ulje të detyruar në një fushë me misër në Dukagjin. Transportuesi ka bërë dërgimin e mjejtit të dëmtuar nga plumbat në fushën e vjetër të aviacionit në Grudën e Re.

Pas uljes në tokë helikopteri është kontrolluar e më pas është vendosur në një trajler me synim dërgimin e tij në bazën e helikopterëve në Tiranë ku do bëhet edhe riparimi. Në nisje të operacioneve të policisë për asgjesimin e fushave të mbjella me kanabis në Dukagjin, u përdoren tre helikopterë, një i policisë dhe dy helikopterë të ushtrisë.

Persona të armatosur, kultivues të hashashit, kanë qëlluar me armë duke dëmtuar rëndë helikopterin në ajër. Piloti mundi ta ulë mjetin fluturues në tokë duke shpëtuar nga rrëzimi. Për disa javë helikopteri mbeti në Dukagjin nën ruajtjen e forcave të policisë deri në hartimin e një plani evakuimi.

Pas incidentit me helikopterin që bëri ulje të detyruar, mjetet fluturuese nuk u përdorën më dhe operacioni anti-kanabis vijoi vetëm nga toka. Mbi 150 mijë rrënjë kanabis të mbjella në zonat e thella të Dukagjinit janë asgjesuar nga ana e policisë.

Top Channel