Plagoset për herë të dytë 18-vjeçari

05/09/2014 00:00

Një 18-vjeçar nga Durrësi është plagosur rëndë sot në qytetin bregdetar. Ngjarja ndodhi në një rrugë dytësore, në afërsi të Unazës së Shkozetit.

Briken Ibraj është qëlluar me armë nga i njëjti person, që në Prillin e vitit të kaluar e plagosi rëndë së bashku me adoleshentë të tjerë, gjatë një sherri në një “internet caffe” në sektorin “Iliria” të plazhit.

Policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar të ngjarjes shtetasin Ervin Gërguri, 17 vjeç, me banim në plazh.

Burime policore bënë të ditur nga vendi i ngjarjes se autori njihet si person me precedentë penalë dhe në harkun kohor të 2 viteve të fundit është përfshirë edhe në dy ngjarje të tjera kriminale, me pasojë plagosjen me dashje.

Më 5 Prill të vitit të kaluar, Briken Ibraj, gjatë një konflikti banal, u qëllua me thikë dhe mjete të forta gjatë sherrit në një “internet caffe”, ku mbeti i dëmtuar dhe pronari i lokalit.

Në Shkurt të vitit 2012, i dyshuari pati plagosur me kaçavidë një bashkëmoshatar 15-vjeçar. Policia bën të ditur se po punon për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Top Channel