Jahjaga: Sa më shpejt institucionet

05/09/2014 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ftoi deputetët e Kuvendit ta zgjidhin ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Duke folur në në një tryezë të organizuar nga Instituti për Drejtësi për Luftimin e Korrupsionit, Jahjaga theksoi domosdoshmërinë e krijimit të institucioneve në afat sa më të shpejtë, sepse Kosova ka para vetes një varg ligjesh që duhet të miratohen në mënyrë që të luftohen dukuritë negative.

“Ne sot kemi nevojë për krijimin më të shpejtë të institucioneve të vendit dhe mbetet në përgjegjësi të deputetëve të Kuvendit që të tregojnë gatishmërinë për të zgjidhur nyjet për funksionimin e institucionit për të cilin kanë marrë votat e qytetarëve. Kjo do të mundësojë miratimin e një numri ligjesh që do të ndihmojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga po kështu rithkesoi se shteti i Kosovës është i gatshëm të ballafaqohet me të gjithë ata që e rrezikojnë sigurinë kombëtare. Nga ana tjetër, zëvëndësambasadorja britanike Louise Taylor kërkoi që Kosova të japë dëshmi konkrete në luftën ndaj korrupsionit.

“Në mënyrë që Kosova të ecë përpara dhe njerëzit e Kosovës të ndjejnë se vendi po ecën përpara, Kosova duhet të jap dëshmi konkrete të rezultateve. Raporti i dytë i vlerësimit të zbatimit të planit të veprimit për rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial, në luftimin e korrupsionit tregon që janë bërë disa hapa, por, gjithashtu tregon edhe një bllokim brengosës të progresit”, deklaroi Taylor.

Sipas raportit të monitorimit të rasteve të korrupsionit, të hartuar nga Instituti i kosovës për Drejtësinë, prokurorët kosovarë nuk kanë arritur t’i përmbushin objektivat e planit të veprimit.

Sipas Betim Musliut, gjysma e rasteve të korrupsionit që kanë qenë të regjistruar deri më datë 04 nëntor 2013, deri në hyrjen në fuqi të plani të veprimit nuk kanë arritur të zgjidhen. Sipas raportit, ajo që ka dështuar më së shumti në zbatimin e planit të veprimit mbetet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Top Channel