Bashkëpunimi kundër terrorizmit

05/09/2014 00:00

Për herë të parë Shqipëria dhe Maqedonia kanë diskutuar dhe publikuar një axhendë të qartë bashkëpunimi kundër terrorizmit islamik.

Në Tiranë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ajo maqedonase Gordana Jankullovska shprehën qëndrimin e tyre të qartë.
“Vend të veçantë në punën e përbashkët do të ketë lufta kundër terrorizmit fetar dhe etnik, pasi është një sfidë rajonale dhe globale”, u shpreh ministri Tahiri.

“Para pak kohësh kemi bërë ndryshime në Kodin Penal për ata që marrin pjesë në grupe ushtarake, paraushtarake dhe grupe terroriste dhe mendojmë se kjo do të japë fryte që të parandalohet terrorizmi”, theksoi ministrja Jankullovska.
 
Të dy ministrat kanë folur për angazhim dhe bashkëpunim të ndërsjelltë në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut si një kusht për integrimin europian të shteteve respektive.

Vitin e ardhshëm pritet të ketë patrulla të përbashkëta shqiptaro-maqedonase për të lehtësuar kalimin e turistëve maqedonas në vendin tonë.

“Punonjës të policisë të Maqedonisë do të ndërtojnë patrulla të përbashkëta me punonjës të policisë shqiptare në akset rrugore. Është një praktikë që është e suksesshme në Kosovë”, shpjegoi Tahiri.

Dy ministritë përkatëse do të ngrejnë grupe operative për shkëmbimin e informacionit kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

PD: Deklarata për terrorizëm etnik, e turpshme

Partia Demokratike ka konstatuar “një ngjarje shumë të rëndë” gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të ministrit Tahiri dhe ministres së Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankulovska.

Në një prononcim për mediat, deputeti demokrat Aldo Bumçi e cilësoi të turpshëm momentin kur ministri Tahiri deklaroi se, në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, një vend të veçantë zë edhe lufta kundër terrorizmit etnik.

“Në vend që t’i kërkonte homologes së tij maqedonase që të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe të respektohen të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, ministri Tahiri deklaron se do të luftojë terrorizmin etnik. Kjo është një deklaratë e turpshme, e papreçedentë në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një deklaratë që përbën një skandal kombëtar, ku ministri i Brendshëm i Shqipërisë flet për luftën kundër terrorizmin etnik shqiptar në Maqedoni. Këto deklarata shqiptarët i kanë dëgjuar në kohën e Millosheviçit. Por sot shqiptarët i dëgjojnë nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë”, deklaroi Bumçi.

Sipas tij, me këtë deklaratë Tirana zyrtare konfirmoi se shqiptarët përbëjnë një rrezik, se ata janë terroristë, duke legjitimuar dhe nxitur persekutimin dhe dhunën ndaj tyre.

“Shumica qeverisëse duhet të dënojë këtë deklaratë të papërgjegjshme të ministrit të Brendshëm të qeverisë Rama. Dhe për të vendosur dinjitetin kombëtar të dhunuar nga ky ministër, minimalja që mund të bëjë kryeministri është shkarkimi i tij”, shtoi Bumçi. 

Top Channel