Arrestime dhe bastisje banesash

04/09/2014 00:00

Policia e Kosovës e shoqëroi e më pas e liroi Imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqin.

Sipas zyrës së Kryeprokurorit të shtetit, Krasniqi është liruar pasi u mor në pyetje dhe Prokuroria Speciale e Kosovës do të vazhdojë hetimet, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

Policia, ndërkaq, njoftoi se Krasniqi dyshohet për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, sipas nenit 147 të Kodit Penal të Kosovës.

Imami kosovar u shoqërua nga policia në kuadër të një operacioni të gjerë policor, që u zhvillua në dhjetë vendndodhje në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Pejë dhe Prizren. Burimet thonë se është kontrolluar edhe shtëpia e Krasniqit në Prishtinë.

Zyrtarisht, policia bëri të ditur se gjatë zbatimit të urdhërkontrolleve janë bastisur dhjetë vendndodhje, prej tyre dy OJQ, emrat e të cilave nuk u publikuan, një shtëpi private dhe shtatë konvikte banimi, si dhe është duke vazhduar marrja në pyetje e disa personave, që ndërlidhen me këto vendndodhje.

“Njësitet e rëndësishme policore në cilësi të provave materiale kanë sekuestruar dëshmi si pajisje elektronike dhe materiale të ndryshme, që ndërlidhen me veprën penale”, njoftoi policia.

Ndalimi i Imamit të Prishtinës
Në raportin e DASH konsiderohet “si nxitës i urrejtjes fetare”

Emri më i bujshëm i operacionit të së enjtes, Shefqet Krasniqi, njihet për ligjëratat islame kryesisht në kanalin Youtube. Kërkimet tregojnë se Krasniqi u përgjigjet pyetjeve të ndryshme të besimtarëve muslimanë, ku shfaqet dhe një ligjëratë për të ndihmuar Sirinë, e dhënë para dy vitesh.

“Gjaku po derdhet çdo ditë dhe ne kemi përjetuar një pjesë të asaj, çka po përjetojnë vëllezërit dhe motrat tona në Siri. Nuk është lehtë të derdhet gjaku i muslimanit, por Allahu është i madh dhe ne nuk kemi gjë tjetër çfarë të bëjmë, përpos të marrim pjesë me vëllezërit dhe motrat tona”, ligjëron Shefqet Krasniqi, Imam i xhamisë “Sulltan Mehmet Fatih”.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) për liritë fetare, Krasniqi konsiderohet si nxitës i urrejtjes fetare. Sidoqoftë, ai është shumë i pranishëm në mediat kosovare, si me shkrime, po ashtu i ftuar në studio debati, ndërsa shpesh herë ndodhet pranë figurave të larta politike në ngjarje të rëndësishme.

Imami i Xhamisë së Madhe gëzon mbështetjen e besimtarëve muslimanë në Prishtinë. Ka disa libra të botuar dhe është profesor në Fakultetin e Shkencave Islame.

Lajmi për arrestimin e tij nxiti hapjen e të paktën dy faqeve në rrjetin social Facebook, në mbështetje të Krasniqit. Në njërën thuhet se “kjo faqe është vetëm një pakënaqësi, që shprehim ne muslimanët e devotshëm ndaj arrestimit të Imamit të xhamisë në Prishtinë, Dr. Shefqet Krasniqi”.

Një muaj më herët, policia arrestoi më shumë se 40 persona, të cilët janë të dyshuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin. Policia konfirmoi se edhe aksioni i kësaj të entjeje është rezultat i vazhdimit të hetimeve në ndërlidhje me operacionet policore të realizuara kohë më parë.

Top Channel