PDK: Blloku opozitar, shantazh politik

03/09/2014 00:00

Paralajmërimi i vazhdueshëm i liderëve të koalicionit pas zgjedhor se në seancën e re konstituitive do propozojnë kryeparlamentarin, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas PDK-së paraqet një shantazh publik dhe shpreh përsëri logjikën anti-kushtetuese të bllokuesve të themelimit të institucioneve shtetërore.

Kryesia dhe grupi parlamentar i PDK-së është mbledhur të mërkurën në një drekë pune ku është diskutuar për gjendjen politike dhe vazhdimin e seancës konstituitive të Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pas së cilës kanë bërë edhe një deklaratë.

Përmes kësaj deklarate për media, PDK sërish i ka ftuar subjektet politike për bashkëpunim për ndërtimin e shpejt të institucioneve të reja, konform rezultatit të zgjedhjeve dhe vendimeve përkatëse të Gjykatës Kushtetuese.

Në të kundërt, partia e kryeministrit Hashim Thaçi ka vendosur që të mos lejojë koalicionin paszgjedhor që në kundërshtim me Kushtetutën të bëjë veprime si ai më 17 korrik, në seancën konstituitive të Kuvendit.

Në pikën 6 të deklaratës, kryesia e PDK-së siguron të gjithë qytetarët se nuk do të tolerojë tendencat për të abuzuar me shtetin, për të cënuar rendin kushtetues dhe për të shkelur rendin demokratik, “për shkak të ambicieve personale të individëve humbës, të cilët nuk zgjedhin mjete për të marrë pushtetin”.

“Ne do të respektojmë Kushtetutën, do të respektojmë ligjet dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Absolutisht, asnjë vendim tjetër ne nuk do të njohim. Absolutisht do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike për ta mbrojtur votën e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

Partia Demokratike e Kosovës po ashtu ka siguruar simpatizantët e vet si dhe opinionin e gjerë se në asnjë mënyrë nuk do të heqë dorë nga besimi që ka marrë për të qeverisur me vendin përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Top Channel