Zgjatet mandati i gjyqtarëve ndërkombëtarë

01/09/2014 00:00

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka dekretuar vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Ky dekret duhet të nënshkruhej të dielën, pasi nga 1 shtatori Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte kuorum të mjaftueshëm për të funksionuar.

Vendimi i Jahjagës bazohet në marrëveshjen ndërkombëtare që Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar me Bashkimin Evropian, përmes së cilës është zgjatur edhe mandati i EULEX-it në Kosovë.

Sipas letërkëmbimit që kishte bërë vitin e kaluar presidentja Jahjaga me shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, mandatin e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Kushtetuese do ta bëjë EULEX-i, por dekretimin e vazhdimit duhet ta bëjë presidentja kosovare.

Kështu, sipas njoftimit të Presidencës, shefi i EULEX-it në Kosovë më 25 gusht ka propozuar vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa po e njëjta marrëveshje, e ratifikuar me dy të tretat e votave të deputetëve kosovarë, parashikon që gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë të niveleve të tjera, EULEX-i duhet t’i propozojë në Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor e pastaj presidentja të vendosë për konfirmimin e mandatit të tyre.

Top Channel