Thaçi, ftesë për marrëveshje

01/09/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se në ditët në vijim duhet të formohen institucionet e reja të vendit, konform rezultateve zgjedhore, si dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë përurimit të shkollës së mesme profesionale në komunën e Shtimes, Thaçi u shpreh i bindur se do ta formojë qeverinë e re, ndërsa u kujtoi mësimdhënësve premtimin e tij elektoral duke u bërë të ditur se nga janari i vitit të ri pagat e tyre do t’i marrin me rritje.

“Institucionet e Kosovës do të ndërtohen shumë shpejt. Ne në ditët e ardhshme do të ftojmë për të konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për të zgjedhur qeverinë e re. Të jeni të bindur se menjëherë do të vazhdojmë implementimin e plotë të Misionit të Ri dhe nga 1 janari i vitit të ardhshëm të gjithë mësimdhënësit do t’i kenë pagat e tyre më të larta me 25 për qind”, deklaroi Thaçi.

Thaçi i ka ftuar të gjitha subjektet politike për bashkëpunim, për tejkalimin e ngërçit dhe për të respektuar verdiktin e popullit, të rikonfirmuar siç tha ai, edhe nga Gjykata Kushtetuese.

“Askush nuk do të mund të cënojë rendin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës. Askush nuk do të mund ta përmbysë vullnetin e qytetarëve të vendit tonë të shprehur më 8 qershor. Prandaj, unë kam besim të plotë se ne do të gjejmë forcë dhe vullnet të mirë që të ndërtojmë në ditët e ardhshme instituicone solide dhe efikase, që do ta çojnë Kosovën përpara”, theksoi Thaçi.

Gjatë qëndrimit në ambientet e shkollës së re në Shtimë, e cila ka kushtuar rreth 2 milionë euro, Thaçi ka thënë se investimet në arsim nuk do të mungojnë as në të ardhmen, për të rritur cilësinë dhe arritjen e nivelit evropian të arsimit.

Top Channel