“Pjesëmarrja në luftë është haram”

01/09/2014 00:00

Bashkësia Islame e Kosovës i bashkohet forumit më të lartë botëror të dijetarëve myslimanë për ta konsideruar ‘haram’, apo të ndaluar, pjesëmarrjen në luftën e Sirisë dhe Irakut.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame, Ahmet Sadriu tha për Top Channel se BIK e mbështet mendimin e  forumit më të lartë botëror në lidhje me këtë çështje dhe vazhdon të apelojë që të rinjtë kosovarë të mos luftojnë përkrahë organizatës terroriste të ISIS-it.

Ditë më parë, Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë, i kryesuar nga dijetari me përmasa botërore, dr. Jusuf ALl-Kardawi, dha një përgjigje fetare lidhur me këtë çështje, duke theksuar se është e ndaluar shkuarja në Siri ose Irak.

Referuar mediave ndërkombëtare, Kardawi e quajti organizatën ISIS dhe qëllimin për krijimin e shtetit islamik të pavlefshme dhe me mungesë legjitimiteti. Muajin e kaluar policia kosovare arrestoi më shumë se 40 kosovarë të dyshuar për përfshirje në terrorizëm.

Gjashtë prej tyre janë liruar, ndërsa të tjerët ndodhen në paraburgim. Ky aksion policor u vlerësua të hënën nga komandanti në largim i forcave paqëruajtëse në Kosovë, gjenerali Salvatore Farina.

Ai kujtoi se shkuarja në Siri dhe Irak është fenomen i pranishëm edhe në vendet perëndimore, ndërsa theksoi se arrestimi i të dyshuarëve tregon se institucionet e Kosovës kanë vullnet për t’u përballur me këtë problem.

Sipas CNN, numri i shqiptarëve të Kosovës që kanë shkuar në Siri është 100-120, me një përqindje të popullsisë e cila llogaritet në 0.006%.

Top Channel