Kosovë, vritet një shqiptar në Mitrovicë

29/08/2014 00:00

Një person ka mbetur i vrarë ndërsa dy të tjerë të plagosur menëgjesin e së premtes në Kosovë, në një zonë malore që ndan Mitrovicën e veriut me atë të jugut.

Shefi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi ka deklaruar për Top Channel se ende nuk duihen rrethanat e ngjarjes, por hetimet e para tregojnë se bëhet fjalë për një shkëmbim zjarri.

Nënkolonel Thaçi ka bërë me dije se vrasja ka ndodhur brenda territorit të Kosovës, në një zonë malore mes dy Mitrovicave, ku ndodheshin tre personat.

Ndërkohë, burime të tjera kanë thënë për Top Channel se viktima dhe dy të plagosurit janë vëllezër, banorë shqiptarë të pjesës jugore të qytetit.

Të lënduarit janë identifikuar si anëtarë të familjes Brahimi, të moshave 16 dhe 19 vjeç, të cilët janë transportuar për në Emergjencën e Prishtinës.

Albion Brahimi, vëllai i vogël i plagosur që ndodhet në Qendrën Klinike Universitare, ka rrëfyer për ngjarjen ku vëllai i tij Ardiani mbeti i vrarë, ndërsa vëllai tjetër dhe ai vetë të plagosur.

Albioni ka thënë se teksa po prisnin dru në malin e tyre, brenda territorit të Kosovës, janë qëlluar me automatik nga një burrë që sipas tij ishte serb me uniformë ushtarake.

Ai ka thënë se pasi ka parë vëllanë e vrarë dhe tjetrin të plagosur ka arritur të tërhiqet dhe të shkojë në shtëpi për të njoftuar familjarët dhe policinë.

“Kemi qenë brenda territorit kur na ka qëlluar një person me uniformë si të ushtrisë serbe. Unë i plagosur kam shkuar deri ne shtëpi për të lajmëruar familjen”, ka thënë ai.

Kjo ngjarje vjen një ditë pas incidentit të armatosur në kufirin e Kosovës dhe Serbisë, në të cilin sipas policisë mbeti i plagosur një shtetas kosovar.

Top Channel