VV-ja, protestë para Gjykatës Kushtetuese

28/08/2014 00:00

Aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje zhvilluan një aksion simbolik në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër vendimit të këtij institucioni për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Dhjetëra aktivistë depërtuan në oborrin e gjykatës dhe shkruan në muret e objektit “E NXONE PDK”që do të thotë se sipas VV-së, PDK-ja e ka zaptuar Gjykatën. Ata vendosën edhe një kurorë me lule në dyert e Gjykatës me mbishkrimin “Në këtë vend është varrosur demokracia”.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Zgjim Hyseni, tha se ky aksion ka për qëllim protestën dhe kundërshtimin e vendimit. Kurora e varrit sipas tij tregon se çfarë i ka bërë Gjykata Kushtetuese demokracisë parlamentare në Kosovë: e ka varrosur.

“Por, ka diçka që duhet t’i kujtojmë kësaj Gjykate sot. Në krye të çdo vendimi të Gjykatës, jo më kot kemi shprehjen “në emër të popullit”. Ka një gjykatës që është edhe mbi ju”, tha Hyseni.

Top Channel