Përfundon protesta e ndërtuesve të HEC-it

27/08/2014 00:00

Pas 7 ditë protestash, kompania turke “Limak Age” e cila po ndërton HEC-in e Banjës ka pranuar të nënshkruajë një marrëveshje me konfederatën e sindikatave duke pranuar të gjitha kushtet e vendosura nga kjo e fundit.

Me gjithë ngurimet, tashmë firmës turke do t’i duhet të respektojë ligjet shqiptare dhe të drejtat e punëtorëve. “Limak Age” pranon të nënshkruajë kontratën kolektive të punës, një nga kushtet kryesore të vendosura nga punëtorët protestues, zbatimin e orarit zyrtar të punës dhe pagesën e orëve shtesë dhe të ditëve të pushimit.

Gjithashtu, kjo kompani do të rishikojë edhe nivelin e pagave për të gjithë punëtorët e saj. Prej një jave punëtorët shqiptarë të kompanisë “Limak” ndërmorën një protestë duke bojkotuar punën në të gjitha kantieret e saj.

Ata kërkuan t’u garantoheshin të drejtat e tyre të sanksionuara në ligj. Më herët, edhe kompania koncesionare “Devoll Hydropoëer” reagoi përmes një komunikate duke kërkuar mirëkuptim dhe marrëveshje mes palëve në interes të përbashkët.

“Devoll Hydropoëer” theksoi se të gjitha palët e përfshira në projektin e ndërtimit të HEC-it, përfshirë të gjithë nënkontraktorët e saj, janë të obliguara të respektojnë dhe të ndjekin legjislacionin shqiptar si dhe Kodin shqiptar të Punës.

Top Channel