Greva e ndërtuesve të HEC-it

26/08/2014 00:00

Grevistët e hidrocentralit të Banjës janë përleshur me rojet e sigurisë së kantierit, në ditën e shtatë të grevës së tyre. Grevistët tentuan të bllokonin makineritë e kompanisë turke “Limak”, por u ndalën nga punonjësit e sigurisë.

Reagimi i ashpër i punëtorëve ndodhi për shkak se kompania ka marrë në punë të tjerë punonjës, ndërsa në kantier po zhvillohej një grevë.

“Unë jam me banim në Laç. Deri tani kemi qenë në punë, por nga përplasjet tona nuk po biem dakord me këta të firmës dhe ata nuk na lejojnë as të flemë aty”, tha një prej punëtorëve.

“Mua më kapi policia dhe më shoqëroi, kur unë kam patur në duar një shkop për mbrojtjen nga qentë, sepse para disa ditësh më sulmuan disa”, tha një tjetër.

Kreu i sindikatës së punëtorëve të Elbasanit, Fadil Kamami, i cili u bë palë me punonjësit për mbrojtjen e të drejtave të tyre, i bëri thirrje ministrit të Brendshëm dhe atij të Energjitikës të ndërhyjnë menjëherë për zgjidhjen e kësaj situate.

“U bë dita e shtatë, i bëj thirrje ministrit të Energjitikës dhe atij të Brendshëm që të bëjnë më kujdes policët sepse po na bëjnë shumë presion”, tha Kamami.

Nga ana tjetër edhe kompania konçesionare “Devoll Hydro Power” ka reaguar sot zyrtarisht në lidhje me situatën e krijuar me nënkontraktorin “Limak”.

Me anë të një komunikate “DHP” shprehet se shpreson se palët do të arrijnë një marrëveshje që do të korrespondojë në interes të të dy palëve, në krijimin e një mjedisi pune pozitiv dhe me respekt të ndërsjelltë.

Prej 7 ditësh punonjësit e kompanise turke “Limak”, ndërtuese e HEC-it të Banjës ndodhen në një grevë nga e cila kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre që konsistojnë në nënshkrimin e një kontrate kolektive pune, zbatimin e 8 orarëshit dhe pagesën e ditëve të pushimit.

Ndërkohë, katër punonjës të HEC-it janë liruar pas mesnate, pasi më herët gjatë së hënës ishin shoqëruar nga policia. Policia e Elbasanit përmes një komunikate ka sqaruar se 4 personat u shoqëruan në komisariat pas denocimit të bërë nga punonjësit e sigurisë së kompanisë “Limak”.

Në komunikatë thuhet se, duke vepruar me vetëgjyqësi, shtetasit Arben Hoxha, Besnik Xhika, Rifat Rami dhe Flamur Sulmina kishin hyrë në ambientet e kantierit të HEC-it të Banjës duke penguar punimet.

Sipas policisë, në momentin e ndalimit në flagrancë atyre iu gjetën shkopinj të përmasave të ndryshme. Më pas materialet i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Konfederatës së sindikatave e kanë konsideruar ndërhyrjen e policisë të pavend dhe në mbështetje të një kompanie private, e cila në asnjë rast nuk është cënuar nga këta punëtorë, çka do ta bënte legjitime ndërhyrjen e policisë.

Top Channel