Aksioni anti-kanabis në Dukagjin

25/08/2014 00:00

Pas katër ditësh veprim në terren, policia bën të ditur rezultatet e punës në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

Operacioni i koduar me emrin Dukagjini ka realizuar identifikimin dhe shkatërrimin e 86 mijë e 930 rrënjëve kanabis sativa në këtë zonë, gjithsej 175 parcela, si dhe është kapur 10,5 kg boçe bimë hashashi.

Ndërkohë, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, policia ka shoqëruar për në komisariatin e Policisë Shkodër 29 persona, për t’u pyetur lidhur me sqarimin e rrethanave të ngjarjes, u ndalua një person dhe u shpallën në kërkim policor 10 të tjerë.

Po ashtu, u kryen 9 kontrolle banesash për kapjen e personave të kërkuar dhe gjetjen e gjurmëve, provave apo sendeve të ngjarjeve kriminale. Në këtë operacion policor u angazhuan me alternime 294 forca policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, të komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat speciale RENEA, oficerë të policisë gjyqësore e ekspertë kriminalistë, mjekë të strukturave të policisë, veprimet e të cilëve u koordinuan nga drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, për realizimin e këtij operacioni, policia ka përdorur 20 automjete policore, dy helikopterë të ushtrisë, një helikopter të forcave RENEA, çadra kampingu, etj.

Operacioni policor u zhvillua në terrene malore tepër të thyera dhe shkëmborë, në lugina dhe përrenj të thellë, në zona me bimësi të larta dhe të dendura, larg qendrave të banuara, të cilat rritën ndjeshëm shkallën e vështirësisë.

Për t’iu përshtatur sa më mirë kushteve të vështira të terrenit, në të cilën u zhvillua ky operacion policor, dhe me qëllim menaxhimin sa më të mirë të forcave policore, që operonin në terren për identifikimin dhe asgjesimin e bimëve narkotike, por jo vetëm, policia ka ngritur kampingje të lëvizshme në zonën e operacionit.

Aktualisht forcat e policisë janë duke u zhvendosur për t’u pozicionuar në një tjetër zonë, ku mendohet se ka hashash të mbjellë. Në tre ditët e para të operacionit, helikopterët janë qëlluar me armë zjarri nga toka. Policia identifikoi një grup prej 10 personash dhe i shpalli ata në kërkim.

Tepelenë, shkatërrohet parcela me drogë

Policia shkatërroi një parcelë me hashash të hapur rishtas, pas aksioneve të para kundër kultivimit. Janë shkatërruar 130 bimë dhe është arrestuar kultivuesi, Pajtim Kanani, nga fshati Dames i Tepelenës.

Në vendin e quajtur moçalet e Kananit në luginën e përroit të fshatit Dames, që është në pronësi e përdorim si kullotë nga ky shtetas, është evidentuar një parcelë e hapur rishtas e kultivuar me kanabis.

Bimët varionin nga 60 centimetra deri në dy metra lartësi. 

Top Channel