Skema e Lazaratit në Veri të vendit

22/08/2014 00:00

Policia e Shtetit do të ndërmarrë një tjetër operacion të vështirë në Veri të vendit, i njëjtë si ai në Lazarat.

Urdhri i dhënë mesditën e së premtes nga drejtuesit e policisë erdhi pas sulmit që iu bë me armë helikopterit që mbështeti gjatë operacionin antikanabis në zonën e Dukagjinit. Plumbat janë lëshuar në kohën kur helikopteri ka kaluar në fshatin Pult, por për fat të mirë pa shkaktuar dëme.

Duke e konsideruar terren tejet të vështirë dhe duke marrë parasysh sulmin, që po i bëhet me armë forcave policore në dy ditët e para të operacionit, është vendosur të dërgohen forca shtesë në Dukagjin, për të kryer një operacion më të madh nga çfarë ishte menduar më parë.

Mendohet që e gjithë zona, ku është vërejtur nga ajri që ka të mbjella me kanabis sativa, do të rrethohet nga Forcat Speciale policore dhe më pas do të fillojë shkatërrimi i tyre. Policia mendon se do të ndërmarrë të njëjtat veprime si në Lazarat, duke qene se në operacionin e fundit pati sukses.

Në ditën e dytë të aksionit janë asgjesuar 7 mijë rrënjë kanabis sativa, të mbjella në zonën malore të Dukagjinit. Ndërsa një ditë më parë policia asgjesoi 34 mijë rrënjë hashashi. Në ditën e dytë janë angazhuar forca të Policisë së Shkodrës, të FNSH dhe repartit RENEA, gjithsej 160 policë, që janë nisur me një helikopter të RENEA-s dhe dy helikopterë transportues të ushtrisë, si dhe 15 automjete.

Ndërkohë, në përbërje të këtyre forcave policore janë angazhuar edhe oficerë të Policisë Gjyqësore, si dhe 12 ekspertë kriminalistë të Policisë Shkencore, që do të bëjnë të mundur dokumentimin ligjor dhe fiksimin e marrjen e provave materiale në vendin e ngjarjes. Edhe në ditën e parë të aksionit është qëlluar me armë në drejtim të policisë, për disa minuta, me synim kthimin e tyre.

Kodheli falenderon pilotët                                                                                                                           “Do të vendosim shtetin ligjor dhe kontrollin mbi territorin”

Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka falenderuar pilotët e forcave ajrore, për aksionin e ndërmarr së bashku me Policinë e Shtetit në Shkodër, të cilët rrezikuan dhe jetën, pasi u qëlluan me armë.

“Falenderime dhe mirënjohje pafund për pilotët, nënkolonel Altin Lama, kapiten Ervin Buzi dhe tetar Saimir Balla, të Forcës Ajrore të cilët rrezikuan jetën gjatë aksionit të ndërmarr në mbështetje të Policisë së Shtetit në luftën kundër lëndëve narkotike. Angazhimi ynë për rivendosjen e shtetit ligjor dhe kontrollin mbi territorin do vazhdojë. Pilotët e Forcës Ajrore sot meritojnë mbështetjen e padiskutuar të gjithë opinionit publik për kontributin e dhënë në shërbim të shtetit të tyre”, mbyllet falenderimi i ministres Kodheli.

Asgjesohen parcelat me hashash
Aksionet në Tepelenë dhe Vlorë, policia identifikon kultivuesit

Ndërkohë, operacioni vijon edhe në Jug të vendit. Në vijim të aksionit antikanabis të koduar “Elezi”, që po zhvillohet në kanionet e lumit Bence, u asgjesuan dhe 2800 bimë kanabis sativa të kultivuara në disa parcela të hapura rishtazi, në kanionet në Dilan dhe Elez.

Operacioni ka nisur që në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ku në pjesën e parë të tij u asgjesuan 1390 bimë kanabis sativa. Kultivuesit, duke përfituar nga terreni mjaft i vështirë, kanë mundur të largohen, por janë identifikuar nga ana e policisë dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Në operacion u përfshinë 35 forca policie të Komisariatit të Policisë Tepelenë, ku më pas në ndihmë të tyre shkuan dhe forca nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Në gjithë zonën e Tepelenës janë asgjesuar 40 mijë rrënjë kanabis. Ndërkohë një aksion i ngjashëm është zhvilluar nga Policia e Vlorës, në zonën e fshatit Karbunarë, ku u gjetën 2 parcela të mbjella me lëndë narkotike me rreth 400 rrënjë bime.

Top Channel