Replika mes PD e Bashkisë

21/08/2014 00:00

Protesta e familjeve, të cilat nuk mundën të përfitojne nga skema e banesave sociale me kosto të ulët e Bashkisë së Korçës, ka sjellë edhe reagimin e Degës lokale të PD, e cila në një deklaratë për mediat ka denoncuar Bashkinë e qytetit për “skandalin” e shpërndarjes së banesave sociale me qira.

Sipas tyre, Bashkia ka shpërndarë banesat sociale jo për individët në nevojë, por për njerëzit e afërt të kryebashkiakut, duke hedhur akuzën se banesat janë shpërndarë me orientim të selisë rozë, duke braktisur komunitetin e të pastrehëve.

“Kërkoj përgjigje nga bashkia se mbi çfarë kriteri keni hartuar listën e përfituesve të banesave sociale? Pse nuk gjenden në këto lista emrat e dhjetra banorëve, që prej vitesh janë regjistruar në listat e të pastrehëve? Pse nuk janë përfshirë te kategoria e përfituesve të banesave kryefamiljarët në nevojë, ku do të gjejnë zgjidhje reale kërkesat për strehim të të pastrehëve në qytetin tonë? PD është e vendosur që të bëjë publik çdo manipulim dhe skandal në interes të qytetarëve nga qeverisja lokale dhe ajo qëndrore”, u shpreh Ledina Aliolli, ish-deputete.

Akuzave të së djathtës u është kundërpërgjigjur edhe Bashkia e qytetit Juglindor, sipas së cilës Partia Demokratike është në kundërshtim të plotë me këshilltarët e djathtë, pasi ata e kanë votuar me unanimitet të plotë listën e kandidatëve të përzgjedhur për banesat sociale me qira.

“PD spekulon duke përdorur pakënaqësinë e momentit të qytetarëve në lidhje me shpërndarjen e banesave sociale me qira. Deklarata nga selia blu është në kundërshtim të plotë me qëndrimin e këshilltarëve të djathtë në mbledhjen e Këshillit të datës 18 Gusht, gjatë së cilës është votuar në unanimitet të plotë lista e kandidatëve të përzgjedhur që përfituan banesa sociale me qira. Ne jemi të vetëdijshëm që ndarja e këtyre banesave nuk zgjidh përgjithmonë problemin e strehimit në qytet, por në kuadër të tij Bashkia do të zbatojë projekte të tjera, që do të lehtësojnë qytetarët”, tha Larisa Katundi.

3 ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi listën e 93 familjeve përfituese të apartamenteve të ndërtuara për familjet e pastreha, ndërkohë që ishin 450 familje aplikante, disa prej të cilave protestuan të mërkurën për mospërfitimin e tyre nga kjo skemë.

Top Channel