Operacioni anti-kanabis në Veri

21/08/2014 00:00

Policia e Shtetit ka nisur një operacion  masiv për asgjesimin e lëndëve
narkotike kanabis sativa në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër.

Konkretisht aksioni është përqëndruar në Komunat e Dukagjinit në Pult, Shalë, Shosh dhe Shllak ku deri në orët e pasditës së ditës së enjte janë asgjesuar 34 mijë rrënjë kanabis sativa.

Në këtë operacion marrin pjesë 150 forca policie dhe tre helikopterë. Në një deklaratë për mediat zv/Drejtori  i Policisë së Shtetit, Altin Qato është shprehur se po bëhet një krehje e gjithë zonës me forca nga ajri dhe toka dhe se operacioni policisë do vazhdojë edhe në ditë në vazhdim.

“Struktura e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që në mëngjesin e sotëm kanë filluar një operacion në shkallë të gjërë në zonën e Dukagjinit. Ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Sot janë angazhuar rreth 150 efektivë të Drejtorisë së Përgjithshme, të Qarkut të Shkodrës, forcat speciale Renea, FNSH dhe struktura të tjera. Kemi angazhuar 3 helikopterë, dy prej të cilëve janë të Ministrisë së Mbrojtjes. Kemi edhe 35 mjete të tjera. Deri më tani janë asgjesuar rreth 34 mijë bimë narkotike. terreni është shumë i vështirë. Një pjesë e tij është kontrolluar por ka edhe pjesë që do të kontrollohen në ditët në vijim”, deklaroi zv.Drejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato.   

Aksioni i Policisë së Shtetit konsiderohet si operacioni më i madh i zhvilluar  ndonjeherë në zonat malore të Qarkut Shkodër zona këto mjaft problematike ndër vite përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë ditës nuk kanë munguar as të shtënat me armë ndaj forcave të policisë, por nuk ka patur të lënduar.

Aksioni në Shkodër është pjesë e një operacioni mbarëkombëtar për identifikimin dhe asgjesimin e lëndeve narkotike që Policia e Shtetit njoftoi se do të zgjasë deri më 15 shtator.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në një intervistë dhënë për Top Channel pak ditë më parë identifikoi disa zona problematike ku kultivohet bima kanabis sativa.

“Zona të tjera me një numër të konsiderueshëm bimës narkotike kemi në Malësitë e Krujës, Tiranës, në zonat që lidh trevat e Matit, Krujës dhe Tiranës. Kemi edhe në Malësinë e Dukagjinit dhe në zonën e Lumit të Vlorës dhe si fenomen na doli edhe zona e Kurveleshit, pra Malësia e Tepelenës. Pra në ato vende ku ka qenë e vështirë të kontrollohet, ku policia e ka patur të vështirë për ta mbajtur nën kontroll territorin, jo për shkak të kundërvënies së banorëve, por për shkak të mjeteve logjistike, distancës dhe vështirësive të terrenit.

Në operacione të ngjashme Policisa e Tepelenës ka asgjesuar mbi 35 mijë bimë e fidanë Canabis Sativa dhe një tjetër rast është goditur gjatë ditës së mërkurë.

Konkretisht, rreth orës 13:00 të datës 20.08.2014, në Tepelenë, në afërsi të lumit Bënçe, në brendësi të rrethimit të stallës së derrave, pronë e shtetasit B. Meta, i datëlindjes 1963, banues në Tepelenë janë evidentuar 21 bimë narkotike të kultivuara të cilat varionin mbi dy metra lartësi, ku disa prej tyre ishin shkulur nga vetë i zoti.

Bimët narkotike janë asgjesuar në vend me anë të djegies, ndërsa disa prej tyre dhe bimët e shkulura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Policia arrestoi shtetasin B.Meta për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme

Top Channel