Beqaj: Asnjë rrezik nga Ebola

17/08/2014 00:00

Ndonëse sëmundja e Ebolas është shndërruar një emergjencë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë pasi deri më tani ka shënuar mbi 1100 viktima në Afrike, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka qetësuar popullatën duke u shprehur se risku i mbërritjes së virusit në Shqipëri është i pakonsiderueshëm.

“Shqipëria nuk është e cënuar, nuk rrezikohet. Fluksi i udhëtarëve që mund të vijnë nga vendet e Afrikës vijnë me avion dhe vijnë nga aeroporte të ndërmjetme ku ka një kontroll paraprak. Së dyti vetë OBSH ka deklaruar se nëpërmjet transportit ajror është praktikisht zero mundësia që të përhapet kjo sëmundje”, deklaroi Ministri.

Beqaj vizitoi këtë të dielë Qendrën Shëndetësore të Përkohëshme të hapur në pikën doganore të Kapshticës për t’i ardhur në ndihmë në rast nevoje dyndjes së madhe të qytetarëve që hyjnë e dalin nga kjo pikë.

“Është një shërbim i shtuar këtë vit që rezultoi i vlefshmë dhe i nevojshëm. Ka patur fluks kërkesash aty. Ne kemi ofruar një shërbim 24 orë me mjekë, infermierë, autoambulancën dhe barnat e ilaçet e nevojshme mjekësore për të shërbyer në rastet e emergjencës. Besoj se qoftë turistët, pushuesit, vizitorët dhe ata që kthehen pranë familjeve të tyre për pushimet e verës kanë një siguri më shumë”, shtoi Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë tha se qendrat e përkohëshme shëndetësore të ngritura deri më tani kanë funksinuar më së miri,ndaj do të shikohet mundësia që pikat në kufitare këto qendra të funksionojnë edhe në raste festash të mëdha kur ka dyndje të kthimit të emigrantëve në atdhe.

Top Channel