Hetimet për vrasjen në Dhërmi

16/08/2014 00:00

Policia dhe prokuroria e Vlorës vijojnë hetimet intensive për vrasjen e 28-vjeçarit Denis Vyshka. Trupi i të riut u gjet i pajetë në plazhin e Drimadhës në Dhërmi paraditen e së enjtes me shenja të forta dhune.

Nga hetimet besohet se Altin Imeraj, njëri prej pronarëve të restorantit ku Denis Vyshka punonte prej 10 ditësh si kamarier ka ushtruar dhunë i ndihmuar edhe nga ortaku i tij Elvis Zylfaj dhe Miklovan Zymeraj, kuzhinieri i restorantit që besohet se ka ndihmuar dy autorët për zhdukjen e gjurmëve.

Burime nga Policia e Vlorës thonë se rreth orës 05:09 në zyrën operacionale ka mbërritur një telefonatë nga Imeraj ku është denoncuar humbja e shumës prej 500 mijë lekësh nga xhiroja e restoriantit.

Dyshohet se telefonata është bërë pas vrasjes së të riut me qëllim për të humbur gjurmët dhe duke ngritur versionin se i riu kishte vjedhur paratë, por ishte grabitur dhe vrarë më pas nga persona të tjerë.

Ajo që ka tradhëtuar skenarin e dy pronarëve të restorantit ka qenë pastruesja që ka denoncuar në polici po gjatë së enjtes dhunën e ushtruar ndaj saj.

Tre të ndaluarit mohojnë akuzën e vrasjes dhe i qendrojnë deklaratave të tyre fillestare, ndërkohë që në Elbasan familja e të ndjerit e përcolli të premten për në banesën e fundit.

Të afërmit e 28-vjeçarit kërkuan nga drejtësia dënimin maksimal për autorët dhe kërcënuan me vetëgjyqësi nëse ata nuk ndëshkohen sipas ligjeve. 

Top Channel