Aktivistja anti-Fullani: Më kërcënuan

15/08/2014 00:00

Ka zgjatur vetëm pak orë misteri se cili ishte dërguesi tre mesazheve kërcënuese në telefonin e aktivistes së shoqërisë civile Ajtanga Lubonja, e përfshirë në mbledhjen e firmave të një peticioni ku kërkohet largimi Guvernatorit Ardian Fullani.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit mësohet se Komisariati i Policisë Nr.1 Tiranë identifikoi dhe ndaloi shtetasin Aleksandër Bajram Rrema si të dyshuar në dërgimin e mesazheve kërcënuese.

Ndaj 28-vjeçarit Rrema nga Tirana filloi proçedimi penal për “Përdorim  me keqdashje të thirrjeve telefonike” parashikuar nga neni  275 i Kodit Penal.

Ajtanga Lubonja, një ish e persekutuar nga regjimi komunist, prej 9 ditësh ulet në një tavolinë përpara parlamentit duke mbledhur firmat e qytetarëve përmes, të cilave shprehim protestën e tyre për atë që tashmë njihet si super-skandali në Bankën e Shqipërisë. Në telefonin e saj mbrëmjen e të enjtes kanë mbërritur 3 mesazhe kërcënues, ku në njërin prej tyre thuhet:

“Dimë gjithçka për ty. Dimë se kush je dhe çfarë bën. Tani këto kohët e fundit po merresh me një peticion që po i shërben një politike të caktuar dhe të komanduar nga lart. Mos të të duket vetja e madhe kur nuk di asgjë se çfarë bëhet me ty! Hap sytë dhe shiko mirë përreth! Jam një që të dua të mirën prandaj po të flas. Mos na detyro që të marrim masa të rrepta kundrejt teje. Hiq dorë sa je në kohë!”

Zonja Lubonja e ka denoncuar në polici këtë mesazh, duke vijuar të bëjë atë që ka bërë prej nëntë ditësh.

“Nuk kam frikë, jo për të treguar që jam trime, se njeri jam. Unë vij çdo ditë këtu dhe kthehem në shtëpi natën vonë dhe do ta vazhdojë gjithçka, por në rrugë demokratike. Populli është i indinjuar së tepërmi”, shprehet ajo.

Organizatorët e peticionit deklarojnë se deri tani numri nënshkruesve të peticionit ka arritur në 9 mijë dhe se ata do të vijojnë mbledhjen e firmave deri sa t’ia arrinë qëllimit, siç pohojnë, për pasjen e një Guvernatori të vërtetë në krye të Bankës së Shqipërisë, e jo një Guvernatori për bankën e politikanëve.

Top Channel