Arrestohen ish-punonjësit e CEZ

12/08/2014 00:00

Pesë punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Gramshit janë vënë në pranga pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Ata janë Shkëlqim Elezi dhe Valter Shahini, me detyrë elektricistë; Shaban Kula, specialist i Kujdesit ndaj Klientit; si Fatmira Tragjini e Dafina Kumria, të punësuara si lexuese të matësave të energjisë.

Punonjësit e kesaj kompanie dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga viti 2012, i faturonin më pak energji tregtarit Ramazan Berbiu, edhe ky i vënë në pranga nga policia e Elbasanit.

Në një reagim pas arrestimit të 5 punonjësve, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaron se ngjarja është denoncuar në vitin 2012 dhe se tre prej personave të përfshirë në të janë larguar nga detyra në vitin 2014 për shkelje në detyrë.

Ndërsa për dy lexueset Dafina Kumria dhe Fatmira Taragjini, të cilat janë aktualisht punonjëse, kompania ka marrë vendimin për pezullimin nga detyra deri në perfundim të procesit gjyqësor.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaron se nuk do të tolerojë asnjë rast shkelje në detyrë dhe shpreh mbështetje për organet ligjore në ndëshkimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të të gjithë atyre që abuzojnë me detyrën, për interesa të përfitimit personal.

Top Channel