237 filma në ‘Dokufest’

11/08/2014 00:00

237 filma ndërkombëtarë do të përballen në garën e “Dokufest” në Prizren duke filluar që nga data 16 gusht.

Edicioni i 13 i këtij festivali do të bëjë bashkë edhe këtë vit Shqipërinë, Kosovën, Italinë, Austrinë, Belgjikën deri edhe Kubën e Amerikën jo vetëm në përballjen e filmave, por edhe në debatet dhe diskutimet që do të organizohen si edhe në konferencën 4-ditore kushtuar teknologjisë.

Sipas Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, “Dokufest” është një model shumë i mirë kulturor dhe edukativ.

“Ajo që e bën shumë të rëndësishëm dhe të pasur Dokufestin është që është një aktivitet që shtrihet në kohë, është një aktivitet që është gjithpërfshirës dhe me shumë aspekte, jo thjesht pasive. Ka debate, seksione, debate jo vetëm për filmat, por edhe për teknologjinë e deri tek ai edukativ. Do të thoja që kemi një model shumë të mirë se si një festival filmi kthehet në një skenë, në një klasë pedagogjike dhe edukimi që përputhet plotësisht me atë që është prioriteti i Ministrisë së Kulturës që është edukimi përmes artit”, deklaroi ministrja Kumbaro.

Organizatorët thonë se disa nga të veçantat e këtij edicioni janë numri i madh i filmave pjesëmarrës si edhe pjesëmarrja për herë të parë e emrave të njohur si Robert Redford si edhe e përfaqësuese të Akademisë Oscar.

“Një program për mendimin tim ndoshta më i miri në këto 13 vite. Është hera e parë që do të kemi filma të regjisorëve të famshëm, si Robert Redford apo Vin Venders. Do të kemi një kompeticion ndër më të fortët deri më tani. 237 filma nga mbi 2400 filma që kanë aplikuar, edhe ky një rekord i këtij vit”, thotë Vetin Nurkollari, Drejtor Artistik i Dokufest.

Kështu që prej datës 16 gusht, 200 kineaste, aktore, kritikë arti, gazetarë e operatorë shqiptarë e të huaj do të bëhen pjesë e Prizrenit duke ndjekur aktivitetet e “Dokufest” deri në mbyllje të tij.

Top Channel