Prindërit shpëtojnë fëmijën, mbyten vetë

07/08/2014 00:00

Një çift bashkëshortësh është mbytur pasditen e së enjtes në plazhin e Qerretit në përpjekje për të shpëtuar fëmijën e tyre të mitur.

Lajmi njoftohet nga Policia e Kavajës duke saktësuar se viktimat janë çifti Sinan dhe Jeta Shala, rreth 30 vjeç banorë të fshatit Qerret.

Sipas Policisë së Kavajës rreth orës 18:00 fëmija 6 vjeç i çiftit Shala kishte hyrë në det megjithëse nuk ishte larg bregut atë e kanë rrëmbyer dallgët. Prindërit kanë rendur njëri pas tjetrit me shpejtësi për ta shpëtuar. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se ata kanë mundur të shpëtojnë vogëlushin, por jo veten. Të dy janë përpirë nga dallgët.

Pushuesit që ndodhehin në plazh në ato momente e kanë dërguar fëmijën me urgjencë në Spitalin e Durrësit. Mjekët thonë se fëmija po mbahet me oksigjen për ta ndihmuar në frymëmarrje, ndërsa trupat e prindërve janë nxjerrë nga uji dhe janë dërguar në morg.

Në çastin që ndodhi ngjarja e rëndë në plazh nuk ndodhej asnjë roje bregdetare, por ishin pushues të tjerë që dhanë ndihmën e parë për familjen Shala. Deti ka qenë i trazuar me dallgë të forta për shkak të erës që ka fryrë në zonën e plazhit.

Top Channel