Një argjendari në rrugën e Dibrës, në zonën e njohur si Selvia në kryeqytet u sulmua paraditen e së mërkurës për herë të tretë në harkun kohor të pesë viteve të fundit.
Dy persona të maskuar që udhëtonin me një automjet pa targa u futën të armatosur në argjendari dhe grabitën aty një sërë sendesh me vlerë.
Pronarja e këtij biznesi është përpjekur t’i ndalojë autorët, por një prej tyre e ka qëlluar atë me qytën e pistoletës. Të dy grabitësit u larguan me dy çanta ku morën sende me vlerë të pallogaritura ende.
Pronarja e këtij biznesi u shoqërua më vonë drejt spitalit për të marrë mjekimin e nevojshëm.
Pak vite më parë në një grabitje të tillë ajo humbi të atin Rrapo Sinanaj. Ai u ekzekutua nga Viktor Gusho, grabitësi serial i bankave dhe bizneseve të tjera. Edhe një vit më parë kjo argjendari u sulmua, por i shpëtoi grabitësve duke u përleshur me grabitësit.
Në vendin e ngjarjes në cilësinë e provës materiale, policia bllokoi si provë kryesore regjistrimin e kamerave të sigurisë, nga e cila shpreson të marrë ndonjë informacion të nevojshëm në lidhje me identitetin e grabitësve.
Top Channel