Dorëzohet në polici ish-drejtori i Thesarit

06/08/2014 00:00

Në orën 8.30 të mëngjesit ish-drejtori i Departamentit të Emisionit të Kartëmonedhës, Dorian Collaku, u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës, 12 orë pasi Prokuroria e kryeqytetit lëshoi një urdhër-ndalimi për të pasi e ka të dyshuar për shpërdorim detyre.

Collaku u paraqit i vetëm dhe i pashoqëruar nga ndonjë avokat, ndërkohë që ka pritur disa çaste derisa agjentë të policisë e shoqëruan atë brenda ambienteve të policisë.

Në këtë mënyrë, numri i të arrestuarve për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve shkon në dhjetë, ndërsa janë nën hetim edhe pesë punonjës të tjerë, për të cilët grupi i hetimit nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me ta. E ndërsa prokuroria ka në dorë mes të tjerash rrëfimin e Bitrajt që pohon vjedhjen 4-vjeçare të 713 milionëve, si edhe një raport auditi, nëntë të tjerët këmbëngulin se nuk kanë dijeni për skandalin dhe se faji nuk është i tyre, por i eprorëve.

Menjëherë pas vetëdorëzimit, burimet thanë se Dorian Collaku nuk ka pranuar të flasë, duke u shpjeguar se ishte i traumatizuar dhe se do të zgjedhë një moment tjetër për të dhënë deklarata. “Unë nuk kam dijeni për asgjë, do flas në një moment tjetër dhe në prani të avokatit”, mësohet të ketë thënë Collaku, i cili dyshohet se është njeriu që duhet t’i propozonte Këshillit Mbikqyrës nevojën për një rregullore më të detajuar për degën e Thesarit.

Madje, sipas veprimeve paraprake, Prokuroria pretendon se ish-drejtori, bazuar në një vendim të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë të vitit 2012, kishte për detyrë të ndërmerrte nismat për nxjerrjen e akteve nënligjore, rregulloreve dhe udhëzimeve përkatëse për funksionimin e departamentit që drejtonte.

Rezulton, thotë Prokuroria, se që prej janarit 2013 e deri në mars 2014 ky shtetas nuk ka ndërmarrë asnjë nismë të tillë, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi për abuzime. Në fakt, mungesën e një rregulloreje e deklaruan një ditë më parë edhe dy ish-punonjës të tjerë të arrestuar, të cilët i thanë Prokurorisë se në degën e Thesarit nuk kishte asnjë rregullore dhe se nuk dihej çfarë përgjegjësish e detyrash kishte njëri apo tjetri.

Top Channel